Protestojnë dy njësi elite të policisë: Shtesat për rrezikshmëri të bëhen 50% e pagës bazë
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua
Njësia Speciale Intervenuese dhe Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive kanë protestuar të mërkurën para objektit të Qeverisë së Kosovës. Këto dy njësi elitare policore po kërkojnë nga ekzekutivi që të rishikohet kategorizimi për rrezikshmërinë në punë. Me dhjetëra prej tyre, të uniformuar kërkuan që rrezikshmëria të caktohet në 50 për qind të pagës bazë dhe shtesa për kushte specifike të punës.
Një nga pjesëtarët e njësive elite ftoi kryeministrin Albin Kurti dhe ekzekutivin që të ndërmarrin masa konkrete në realizimin e kërkesave të tyre.
“I nderuar kryeministër, ju i dini shumë mirë kërcënimet dhe rreziqet që operatorët e këtyre njësive i kanë gjatë gjithë kohës. Jo vetëm gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, por edhe në jetën private. Dhe, kjo është pikërisht për shkak të natyrës së punës të cilën ne e bëjmë. Prandaj, mos luani me dinjitetin tonë, mos luani me ndjenjat e familjeve tona. Ne kemi dëshmuar vetën në shumë raste në të kaluarën dhe së fundmi në neutralizimin e grupit terrorist më datën 24 shtator 2023. Prandaj, nuk zmbrapsemi asnjëherë pavarësisht pengesave dhe vështirësive që na dalin përpara. Prandaj edhe një herë kërkojmë nga ana juaj që propozimin e dhënë për shtesat e rrezikshmërisë ta rishikoni dhe të merrni parasysh kërkesat tona dhe presim që së shpejti takohemi dhe së bashku t’i zgjidhim”, deklaroi ai.
Tutje, teksa potencoi kërkesat e dy njësive elite policore shtoi se nuk do të ndalen me kaq dhe do të ndërmarrin edhe veprime të tjera.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...
Pjesëtari i uniformuar dhe me maskë deklaroi se arsyeja e protestës është në lidhje me kategorizimin e rrezikshmërisë në punë dhe mos përfshirjen në shtesa tjera të parapara me ligj. Sipas tij, pakënaqësitë nuk datojnë nga dje.
Dy njësitë pjesëmarrëse në këtë protestë, siç tha ai, janë të trajnuara dhe përgatitura me standardet më të larta ndërkombëtare.
Qeveria më 27 tetor prezantoi shtesat për rrezikshmërinë e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Këto shtesa janë ndarë në shtatë kategori, ku shtesat për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësinë për Mbrojtje të Afërt do të jenë prej 150 euro mbi pagën bazë.