Protestohet sot kundër shtrenjtimit të rrymës
Lexohet për: 4 min.
rryma-protesta
2 vite më parë
Linku u kopjua

Edhe sot me të filluar nga ora 14:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë do të protestohet kundër shtrenjtimit të rrymës dhe do të kërkohet që të hedhet poshtë propozimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Protesta e sotme është organizuar nga Partia Socialdemokrate (PSD).

Në një konferencë për medie, në sheshin “Zahir Pajaziti”, të mbajtur të premten, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj tha se protesta e të shtunës(sot) do të jetë paqësore, por tha se do të ketë aksione simbolike para objektit të qeverisë.

Ai bëri thirrje edhe që opozita t’i bashkohet kësaj proteste.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) të cilët deklaruan se nuk do të jenë pjesë e organizmit të protestës së të shtunës, kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

“Ne kuptojmë shqetësimin e secilit për këtë çështje, njëherësh prapë i bëjmë thirrje Qeverisë që të tërhiqet nga shtrenjtimi i rrymës. Gjithashtu, ne respektojmë vullnetin e secilit për pjesëmarrje në këtë protestë dhe apelojmë që të respektohen masat anticovid”, u tha në komunikatën e AAK-së.

Po për të kundërshtuar shtrenjtimin e energjisë elektrike u protestua edhe më mërkurën e 26 janarit.

“Ngrohja nuk është komoditet”, “Asnjë cent më shumë”, “Lësho rrymën, lësho rrjetin, largoje KEDS-in”, janë shkrimet në pankarta me të cilat para objektit të Qeverisë protestuan rreth dyqind protestuese.

Ata kundërshtuan edhe paralajmërimin e ZRrE-së për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Ndërsa grupi i qytetarëve të kësaj proteste nën parullën “Asnjë cent më shumë” është distancuar nga protesta e organizuar sot nga PSD.

“Grupi i qytetarëve të organizuar nën parullën “ASNJI CENT MA SHUMË!”, informon publikun se protesta e ditës së shtunë nuk organizohet nga ta. Kjo protestë është e thirrur nga Partia Social-demokrate -PSD.  Ky informim u bë i domosdoshëm pasi nëpër rrugët e Prishtinës janë ngjitur postera dhe janë shpërndarë fletushka me informatat e protestës të thirrur nga PSD, pa vendosur askund logon e tyre apo ndonjë shenjë tjetër identifikimi të tyre si organizatorë. Këtë gjë ne e lexojmë si akt të qëllimshëm i cili synon synon t’i konfuzojë qytetarët lidhur me organizimin e nesërm. Me këtë rast, ne shprehim gjithashtu shqetësimin për sulmet e vazhdueshme mediale të militantëve të PSD-së ndaj aktivistëve/eve dhe qytetarëve/eve të protestës “ASNJI CENT MA SHUMË!”. Gjatë kësaj jave ne e kemi parë një fushatë të egër të PSD-së për ta deligjitimuar organizimin kolektiv për ta kundërshtuar rritjen e energjisë, duke shpifur dhe keqinformuar publikun. Përveç propagandës mediale, PSD është angazhuar aktivisht në sabotimin e organizimit qytetarë rreth kauzës së mos-shtrejtimit të çmimit të energjisë, çka është duke na dëshmuar edhe një herë nevojën që kjo kauzë t'iu mbetet qytetarëve, e jo partive.Ne insistojmë që kjo kauzë, aq esenciale për të gjithë/a ne, duhet të mbetet kauzë qytetare. Çdo ndërhyrje nga partitë politike do ta dëmtojë këtë kauzë, duke e shndërruar atë në mjet të rritjes elektorale dhe pazareve politike.  Andaj, ne mbesim të vendosur/a që të vazhdojmë me organizimin dhe qëndresën tonë kundrejt kësaj padrejtësie e cila është duke na u kanosur. Protestat tona dhe përpjekjet për parandalimin e rritjes së çmimit të energjisë do të vazhdojnë deri në fitoren tonë. Kjo betejë na takon neve -qytetarëve, andaj ju ftojmë të gjithë/a që të na bashkoheni në organizim dhe në rrugë”, thuhet në reagimin e këtij grupi.
https://kosovapress.com/admin/%e2%80%8basnji-cent-ma-shume-distancohet-nga-protesta-e-psd-po-i-ben-konfuze-qytetaret/
https://kosovapress.com/admin/%e2%80%8bmolliqaj-partite-opozitare-e-kane-shterur-kundershtimin-parlamentar-ti-bashkohen-protestes-se-neserme/
https://kosovapress.com/admin/ftesa-e-psd-se-aak-tregon-nese-do-te-jete-pjese-e-protestes-se-te-shtunes/
https://kosovapress.com/admin/protestuesit-paralajmerojne-kurtin-ose-neve-ose-keds-in-ne-nuk-e-japim-asnje-cent-me-shume/
https://kosovapress.com/admin/%e2%80%8bsot-protestohet-kunder-shtrenjtimit-te-rrymes-asnje-cent-me-shume/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025