Protestohet kundër shtrenjtimit të rrymës, PSD: Propozimi i ZRrE-së nuk do të kalojë
Lexohet për: 4 min.
protesta44-2
3 vite më parë
Linku u kopjua

“Lypëm dritë, gjetëm terr”, “Albin mashtruesi”, “Ndryshimi i madh veç në faturë të rrymës”, “Krejt dhe shtrenjtë”, janë disa nga thirrjet që u dëgjuan në protestën e së shtunës. Partia Socialdemokrate, e cila ka qenë organizatore e kësaj proteste dhe numër i madh i qytetarëve kanë kundërshtuar shtrenjtimin e energjisë elektrike. Ata janë nisur nga sheshi “Zahir Pajaziti” në drejtim të qeverisë , ku edhe kanë hasur në rezistencë dhe konfrontime mes qytetarëve e policisë.

Pjesëtarë të shumtë të forcave policore kanë qëndruar pranë objektit të qeverisë.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj e ka quajtur policinë të dirigjuar politikisht meqë të njëjtit nuk kishin ndërhyrë në protestën e së mërkurës dhe se kishin lejuar të mbanin fjalimin po aty tek shkallët e hyrjes së objektit të qeverisë.

“Kjo polici mbrapa është e dirigjuar politikisht. Para tre ditësh është mbajtur protestë me të njëjtën kauzë, dhe këtu nuk ka pas policë dhe këtu është mbajt fjalimi. Siç e shihni kanë humbur mbi shpinën time thua se çfarë po bëjmë. I kërkova me mirëkuptim më ranë sipër e filluan me arrestuar, polici e pasjellshëm e të dirigjuar politikisht. Ne po kërkojmë tre shkallë më lartë. Në emër të gjithë juve po iu sigurojë që nuk hyjmë në objekt, se nuk jemi budallë me hy në objekt[...]I njëjti komandant para tre ditësh nuk e ka qitë këtu policinë, policia është këtu me na pengu neve. A e dini pse? Sepse na e kanë rrit çmimin e energjisë elektrike e tash ju vjen marre e po fshihen pas policisë. I bëjë thirrje policisë tre hapa mbrapa, askush nuk ka me hy brenda”, ka thënë ai.

Pas thirrjes së organizatorëve, policia është tërhequr për tri shkallë më lartë.

Më tej, Molliqaj u shpreh se kryeministri aktual për një dekadë ka folur për dëmet e privatizimit të KESCO. Por, sipas tij askush nuk i ka bërë më shumë favore se vet Albin Kurti për dy muaj.

“Kurrë moment më të mirë nuk kish pas Qeveria e Kosovës sesa tash me e kthye distribucionin në shërbim të qytetarëve të Kosovës. Por për ta bërë këtë duhet guxim politik e problemi është kështu që brenda kësaj ndërtesë është një frikacak, një tutc që veten e sheh si supermen. E bash që është tutc(frikacak) është shumë i rrezikshëm. Ky njeri nuk ka as shokë, as shoqe për të bashkëpunuar, ka veç instrumente me i përdor dhe vetëm armiq për me i luftua”, tha ai.

Kreu i PSD-së u shpreh se shefi i ekzekutivit nuk po guxon që energjinë elektrike ta faturojë edhe për katër komunat veriore në Kosovë. Ai u zotua se nuk do të lejojnë që propozimi i ZRrE-së të kalojë.

“Propozimi i ZRrE-së duhet menjëherë pandërprerë, tani të  hidhet poshtë, ai propozim nuk ka me kalua, sa të ka qytetarë aktiv, sa të jemi ne gjithë bashkë, pavarësisht dallimeve partiake, këtë zotim nuk do ta lejojmë të kalojë...Porosia jonë është e qartë, ne nuk ndalemi ju duhet të ktheni atë vendim mbrapa. Derisa ju nuk ndaleni ne do të jemi çdo ditë edhe më të fuqishëm dhe të guximshëm”, ka vijuar ai.

Ai ka ftuar aktivistët dhe pjesëmarrësit në këtë protestë që në mënyrë simbolike, të hedhin me poqa elektrik dhe qirinj objektin e qeverisë.

Në protestën e sotme ka marrë pjesë deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Palë Lekaj. Aty ishte parë edhe deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, si dhe anëtarja, Besa Ismaili. Zyra e Rregullatorit për Energji ka shtyrë diskutimin publik për vendosjen e bllok-tarifës deri më datë 31 janar 2022 deri në orën 16:00.

https://kosovapress.com/admin/molliqaj-polici-e-pasjellshme-dhe-e-dirigjuar-politikisht-sjemi-budalle-me-hy-brenda-objektit-te-qeverise/
https://kosovapress.com/admin/hedhen-poqa-e-qirinj-ne-drejtim-te-objektit-te-qeverise/
https://kosovapress.com/admin/protestuesit-hasin-ne-rezistence-te-policise-para-objektit-te-qeverise/
https://kosovapress.com/admin/protestuesit-kerkojne-rrezimin-e-qeverise-e-quajne-kurtin-mashtrues/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025