Mijëra veta protestuan sot në Beograd me kërkesën për anulimin e zgjedhjeve dy javë më parë, për shkak të akuzave për mashtrime nga partia në pushtet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
Në protestën e organizuar nga nisma qytetare joformale "Pro glas", që është formuar nga personalitete të njohura publike, u kërkua që brenda gjashtë muajsh të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare dhe lokale në Serbi. Nisma kërkon së pari ndryshimin e procesit zgjedhor për të krijuar kushte për zgjedhje të drejta.
Përkrahësit e koalicionit opozitar “Serbia kundër dhunës”, pohojnë se parregullsitë u identifikuan edhe nga vëzhguesit vendas e ndërkombëtarë në zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale, përfshirë ato për Beogradin. Disa politikanë të opozitës ndodhen në grevë urie.
Protestës iu bashkuan edhe grupet e studentësh të cilët për 24 orë mbajtën të bllokuara disa rrugë në kryeqytetin serb duke kërkuar që autoritetet të hapin listat e votuesve, pas pretendimeve se shumë njerëz që nuk jetojnë në Beograd kanë votuar atje.
Hetimin e procesit të zgjedhjeve ka kërkuar edhe Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian të cilët kanë bërë thirrje për bashkëpunim të autoriteteve serbe me misionin e OSBE-së, për t’iu dhënë përgjigje mangësive në proceset demokratike.
Protestat, që zakonisht fillojnë në orët e mbrëmjes, u përshkallëzuan fundjavën e kaluar kur një grup pjesëmarrësish u përpoqën të hyjnë me forcë në ndërtesën e bashkisë së Beogradit. Në përpjekje për t’i ndaluar, policia përdori gaz lotsjellës dhe shkopinjtë e gomës për shpërndarjen e tyre.