Për të tretën herë gjatë këtij muaji, para Parlamentit të Malit të Zi u mbajt protestë me sloganin “Ne ekzistojmë”, ku morën pjesë mijëra qytetarë të cilët kërkojnë tërheqjen e amendamenteve të Ligjit për presidentin, zhbllokimin e Gjykatës Kushtetuese si dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Protestuesit kënduan himnin kombëtar të Malit të Zi, bartën flamuj të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian dhe mbajtën pankarta me mesazhe sikurse “Për Malin e Zi, për BE-në”, “Nacionalizmi është i shfrenuar dhe aty bie Kushtetuta”, “Nuk do t’i bëjmë gati valixhet” e të ngjashme.
Pas fjalimeve para protestuesve, qytetarët parakaluan nëpër Podgoricë, dhe tubimi u përmbyll pa ndonjë incident. Në protestë u dëgjuan brohoritje kundër Abazoviqit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Lidhur me situatën ka reaguar Bashkimi Europian, i cili ka bërë thirrje Malit të Zi që t’i japë menjëherë fund bllokadës së institucioneve dhe të normalizojë situatën në vend.
/rtsh/