Policia e Kosovës në orët e para të mëngjesit ka filluar të mobilizohet për protestën e cila do të mbahet sot para Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, protestë kjo e thirrur nga shoqatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Tashmë pranë objekteve të institucioneve, si Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës ka një numër të shtuar të zyrtarëve policorë. Njëjtë shihet edhe në sheshet kryesore të Prishtinës.
Policia e Kosovës thotë se ka bërë përgatitjet e nevojshme operacionale policore me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike si dhe mbarëvajtjes së protestës së lajmëruar për sot, sipas ligjit mbi tubimet publike nga veteranët e UÇK-së.
Policia bëri thirrje që protesta të zhvillohet e qetë duke respektuar ligjet e vendit dhe që kërkesat të shpalosin në mënyrë demokratike e ligjore.