Dy aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Xheladini dhe Mon Balaj, derisa protestonin kundër negociatave të Kosovës me Serbinë dhe Pakos së Ahtisaarit, u vranë më 10 shkurt 2007 nga Policia rumune e UNMIK-ut, 16 vite më parë.
Derisa mijëra protestues kundërshtonin pakon e Ahtisarit, protesta eskaloi në momentin që janë hequr rrethojat e vendosura në mes të sheshit. Ishte policia e rumune e UNMIK-ut, ajo që reagoi në mënyrë të dhunshme me ç’rast janë përdorur edhe armë vdekjeprurëse.
KMDLNj ka kërkuar drejtësi për viktimat e 10 shkurtit, si dhe ka kërkuar që viktimat e Arben Xheladini dhe Mon Balaj të pranohen si viktima politike, të rehabilitohen dhe ta fitojnë statusin e merituar, ndërsa, familjet e tyre të fitojnë të drejtën që e gëzojnë familjet e viktimave civile të luftës.
KMDLNj ka reaguar edhe për të plagosurit e kësaj proteste, duke thënë se duhet të kompensohen moralisht dhe materialisht, në përputhje me ligjin.