Me ligjin e ri të punës po rekomandohet që gjashtë muajt e parë pas lindjes, të konsiderohen si leje e lehonisë për nënën. Në të tri periudhat e propozuara të lejes së lehonisë dhe lejes prindërore, organizatat joqeveritare kërkojnë që një muaj lirim nga puna të jetë edhe për baballarët dhe këto ditë mos të kenë mundësinë të transferohen për nënën.
Në modelin e propozuar sot, u tha se gjashtë muajt e parë të lehonisë të paguhen nga shteti, tre nga punëdhënësi dhe tre të tjerë të jenë pa pagesë.
Adelina Tërshani nga Rrjeti i Grave të Kosovës, tha se ligji aktual i punës lejon që punëdhënësit të diskriminojnë gratë. Në bashkëpunim edhe me organizatat tjera, ajo ka prezantuar rekomandimet për modelin e lejes së lehonisë.
“Ajo që ne rekomandojmë si forum bashkë me FES dhe IKS është që në gjashtë muajt e parë të lejes të konsiderohet si leje e lehonisë për nënën. Në periudhën e parë të lehonisë, babai të ketë të drejtën të gëzojë një muaj të pushimit të lejes së atësisë e paguar, që mund të merret para apo pas lindjes së fëmijës. Përveç kësaj, gjashtë muajt në vijim duhet të konsiderohen si leje prindërore për të inkurajuar marrjen e barabartë të lejes nga të dy prindërit. Në përputhje me direktivën e Bashkimit Evropian mbi balancën punë-jetë, një muaj duhet të merret nga babai edhe është i pa transferuar, nuk mund të transferohet te nëna. Gjatë tre muajve të fundit, janë paraparë pa pagesë, të paktën një nga tre muajt duhet të merren nga babai edhe nuk mund t’i transferohen nënës”, ka prezantuar ajo.
Për këtë është pajtuar edhe kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Fatmire Mullhaxha Kollçaku, e cila tha se gjithçka që lidhet me punën duhet të trajtohet me këtë ligj.
“Ne kemi qenë edhe si deputete shumë të zëshëm kundër asaj tendence që të bëhet ndarja e pushimit të lehonisë, kinse me një ligj të veçantë, sepse kjo është jo vetëm e pakuptueshme e palogjikshme. E dimë se krejt çfarë ndërlidhet me punën duhet të rregullohet me Ligjin e Punës dhe pastaj mund të ketë legjislacion sekondar. Por, patjetër që kjo nuk mund të përjashtohet nga Ligji i Punës. Balancimi i jetës dhe punës duhet patjetër të bëhet”, tha ajo.
"Janë vërejtur probleme të shumta, mos respektim edhe i nenit, ashtu siç është në ligjin ekzistues. Ka pasur përpjekje në vazhdimësi prej qeverive të ndryshme që të ndryshohet dhe të mundësohet një qasje më të mirë dhe më të drejtë, më të barabartë të gruas në tregun e punës. Mirëpo, rrethanat, situata politike edhe gjitha zhvillimet kanë sjellë në një status-quo të kësaj çështjeje”, ka thënë Luzha.
Ndërsa Saxhide Mustafa nga Forumi Ekonomik i Grave tha se një nga barrierat pse gratë janë jashtë tregut të punës është Ligji i Punës.
Nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Klit Shala u zotua se janë duke punuar me prioritet për hartimin e këtij ligji.
“Rishtazi është themeluar grupi punues dhe pritet që në kuadër të afateve ligjore të përcillet edhe për konsultim publik projektligji i cili do të draftohet nga grupi punues. Sigurisht direktiva e prezantuar këtu do të merret parasysh dhe përkon me planin kombëtar të zbatimit të MSA-së. Direktiva e balancës jetë-punë, përveç pushimeve-lejeve, parasheh edhe modalitetet fleksibile të punës. Një risi e re e kësaj direktive është që parasheh lejen edhe për personat që kanë kujdestari për ndonjë person, por edhe për persona që janë në kujdestari për personat me aftësi të kufizuara. Edhe kjo do të merret parasysh në momentin e transfuzimit të kësaj direktive”, tha Shala.