Promovohet libri “Serbia Tjetër 2 - Milosh Miniq”
Lexohet për: 5 min.
Untitled
2 vite më parë
Linku u kopjua

Sonte është promovuar “Serbia Tjetër 2 - Milosh Miniq”, botuar nga ADMOVERE, me mbështetje nga KFOS-i, ku janë përfshirë artikujt e politikanit e diplomatit Milosh Miniq (1914–2003), në të cilët flet për shkeljet brutale të të drejtave të shqiptarëve në Kosovë gjatë viteve ’90, si dhe shpalos mendime mbi statusin e Kosovës dhe raportet e saj me Serbinë, por edhe mbi raportet shqiptaro-serbe përgjithësisht.

Analisti politik Shkëlzen Gashi, i cili ka shkruar parathënien dhe ka bërë përgatitjen e librit, ka folur rreth “Serbia Tjetër 2 - Milosh Miniq”, i cili vjen pas librit “Serbia tjetër: Bogdan Bogdanoviq”, të publikuar kohë më parë.

Ai tha se ky libër është një projekt tjetër mbi fjalimet dhe letrat e intelektualit serb, prej 23 marsit 1989 kur është suprimuar autonomia e Kosovës e deri më 10 qershor kur trupat e NATO-s janë futur në Kosovë.

Gashi me këtë rast ka lexuar një fragment të letrës që Milosh Miniq ia kishte dërguar më 23 qershor 1999 presidentit të atëhershëm Slobodan Milosheviq lidhur me krimet në Kosovë.

“Në vitin 1999 disa ditë pas përfundimit të bombardimeve, ai ia dërgon një letër tjerë Millosheviqit... Data 23 qershor 1999. Fillon kështu: E ndjej nevojën të shtroj publikisht disa pyetje të mëdha për të tashmen dhe të ardhmen e popullit tonë serb , si dhe të marrëdhënieve serbe-shqiptare, Kosovës dhe Serbisë, e ato pyetje janë: Kush i ka dhënë urdhrat që Kosova të spastrohet etnikisht nga shqiptarët e Kosovës duke kryer dëbime dhe ekzekutime masive e të tmerrshme të shqiptarëve të Kosovës? Cilët oficerë të policisë dhe ushtrisë i kanë zbatuar ose kanë urdhëruar që të zbatohen ose nuk e kanë parandaluar zbatimin e urdhrave të tillë të paligjshëm dhe kundërkushtetues, ndërsa e kanë pasur fuqinë e të drejtën që t’i parandalojnë ato krime lufte?  Cilat grupe paramilitare kanë operuar nëpër fshatrat dhe qytetet e Kosovës? A janë ata Tigrat e Arkanit, çetnikët e Sheshelit ose bandat e përbëra nga grupet e serbëve të Kosovës dhe të nacionaliteteve tjera? Kush ishin kryerësit që i dëbonin nga shtëpitë familjet e shqiptarëve të Kosovës duke ua lënë nga dhjetë minuta që t’i marrin gjërat më të domosdoshme, që i plaçkitnin ata dhe shtëpitë e tyre, i digjnin shtëpitë e tyre nëpër fshatra e qytete, i shkatërronin dhe i digjnin fshatrat e tyre dhe vendbanimet, ua merrnin dhe ua digjnin dokumentet personale që të mos mund të ktheheshin më kurrë në Kosovë”, ka lexuar Gashi letrën e atëhershme të Miniq dërguar Millosheviqit.

Ai tha për procesin e pajtimit ndërmjet Kosovës e Serbisë do të ishte më e mirë që ndërmjetësit ndërkombëtarë t’i japin kohë kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq deri në shtator që ata t’i urdhërojnë ministrat e Arsimit të vendeve të tyre që të ndryshojnë prezantimet e të dhënave mbi të vrarët në Kosovë në tekstet shkollore mbi historinë.

Ndërsa publicisti Veton Surroi ka folur rreth rolit që ka pasur Miniq kundër politikës së Millosheviqit. Ai tha se Miniq ka qenë një antifashist i shekullit 20, i cili është shprehur kundër represionit dhe dhunës së Serbisë kundër shqiptarëve.

“Miniq është institucion në vete në Serbi, ka qenë prokuror në gjykimin e Drazha Mihajlloviqit dhe ajo pjesë e thellë fashiste serbe nuk ia ka harruar kurrë. Dhe sot kur përmendet Miniq, disa prej mediave nacionaliste në Serbi është: Miniq, njeriu që gjykoi në rastin e Drazha Mihajlloviq, Kështu zëri i tij në Serbi ka pasur këtë jehonë... Kjo që po ndodh me UÇK-në, këtë e kam bërë unë kur kam qenë djalë i ri në Valevë dhe të njëjtën gjë po e bën UÇK-ja sepse po lufton një okupator”, ka thënë Surroi.

Ndryshe, Milosh Miniq u lind në vitin 1914 në Prelinë të Çaçakut. Shërbeu si prokuror publik në Serbi dhe përfaqësues i ushtrisë jugosllave. Rasti më i madh ligjor që ai udhëhoqi ishte “Procesi i Beogradit”, në vitin 1946, ku lideri çetnik Drazha Mihailoviq dhe bashkëpunëtorët e tij u dënuan me vdekje – rast ky i njohur si “Gjykimi i Drazha Mihailoviqit”. Miniq mbante funksione të ndryshme brenda qeverisë serbe dhe jugosllave. Gjatë viteve 1970 ishte ministër i Jashtëm i Jugosllavisë. Gjatë viteve 1990 ai ishte ndër kritikët e paktë të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, veçanërisht të politikës së tij kriminale ndaj shqiptarëve të Kosovës. Ai vdiq në Beograd në moshën 89-vjeçare në vitin 2003.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024