Promovohet libri "Komiteti i Deçanit” me autor Hasan Ukëhaxhaj
Lexohet për: 6 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Autori në kuadër të vështrimit historik, e trajton gjendjen e rënduar të shqiptarëve në kuadër të disa marrëveshjeve ndërkombëtare të shekullit XX, të cilat kanë pasur pasoja të thella në zhvillimin, avancimin dhe shtet- ndërtimin e kombit shqiptar si tërësi. Me të drejtë autori shkruan se këto pasoja po vazhdojnë të kenë ndikim negativ edhe në shekullin XXI, për sa i përket të drejtës së bashkimit kombëtar si fazë e përmbylljes së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Kështu u tha sot në përurimin e librit "Komiteti i Deçanit", njërit prej themeluesve të Komitetit të Deçanit – LNÇKVShJ, Hasan Ukëhaxhaj. 

Hydajet Hyseni, ka përshëndetur dhe përgëzuar librin dhe autorin, edhe në emër të të burgosurëve politikë. Derisa tha se autori i ka nderuar me këtë vepër.

"Autori na ka nderuar duke e botuar librin e tij në siglën e shoqatës se të burgosurve politike, por, për hir të vërtetës, më duhet të sqaroj se autori e ka zgjedhur si botues shoqatën tonë të përbashkët, por ama e ka botuar me shpenzimet e veta. Libri që kemi përpara, na dëshmon se Shoqata duhet të vazhdojë edhe veprimtarinë e saj botuese si dhe veprimtaritë tjera qoftë edhe pa përkrahje të nevojshme e të duhur, ashtu siç është zhvilluar, pothuajse e gjithë veprimtaria e jonë atdhetare e çlirimtare”, tha Hyseni.

Studiuesi, Bedri Zyberaj ka treguar më shumë detaje për librin.

"Ky libër, pavarësisht nga ndonjë mangësi që mund të këtë, është i një rëndësie të veçantë ngase, përveç dëshmive për periudhën paraprake, merret dhe mëton të ndriçojë aktivitetin e Komitetit të Deçanit që prej formimit të tij më 28 qershor 1980 e derisa nuk, burgosen anëtarët e këtij Komiteti në maj të vitit 1981. Ndërsa, nëse referohemi vetëm në titullin e librit, vijmë në përfundim se në të, flitet vetëm për Komitetin e Deçanit. Por, brendia na jep diçka më shumë që shkon përtej formimit dhe aktivitetit të këtij Komiteti, me ç' rast autori na jep të dhëna dhe dëshmi edhe për komitetet tjera vendore të LNÇKVShJ, siç janë: Komiteti i Gllogocit, i Mitrovicës dhe i Llapit. Përveç këtyre komiteteve, në libër i është dhënë hapësirë edhe Grupit të të rinjve të Deçanit i pagëzuar me emrin 'Shqiponja', të dhënat për të cilin janë me një interes, jo vetëm për kohën kur ka vepruar ky Grup, por edhe për faktin që angazhimi i anëtarëve të tij kur të vihet në kontekstin e zhvillimeve të mëvonshme politike në Kosovë deri të lufta e UÇK-së dhe koha që pasoi këtë luftë, përfshi edhe ditët e sotme, paraqesin një peshë të veçantë të lidhshmërisë së ngjarjeve dhe epokave", tha Zyberaj.

Autori i librit, Hasan Ukëhaxhaj ka falënderuar të pranishmit për prezencën dhe kontributin e dhënë e që e kanë shtyrë ta botojë këtë vepër.

"Shumë vjet prita nga sugjerimet e propozimet e veprimtarit që nuk është tash në jetë, Xhavit Hoxhës, duke më thënë çfarë po pret, dhe i thosha a po e sheh se ende s’ka ardhur koha, ende kemi punë tjera, menjëherë pas tij, Kadri Rexha, kush e njeh si emër dhe fizikisht, në një të pame, e i treti edhe gjenerali Lama, në fund duke më thirr më tha dhe e falënderoj që edhe në këtë moshë e ka marrë me hartu një kumtesë. Hasan, unë di shumë për Komunitetin e Deçanit por janë shumë pak në krahasim me ato që nuk i di, bashkoma materialin, lapsin e kam mirë  në dorë dhe e publikoj, punën tuaj e qes në dritë dhe e falënderova dhe i thash që po përpiqem që të sjell atë që ju po kërkoni, por nuk arrita sepse erdhën valë të tjera të jetës...Gjithë këta kanë insistuar prej Xhavit Hoxhës e deri tek Hydajet Hyseni më kanë nxit dhe më kanë bërë borxhli që një ditë t'i hyjë kësaj pune. Meqë thonë të gjithë, jam munduar se aq sa ka vepruar në bazë të dokumenteve jam mbështetur dhe u botua, por nuk do të thotë që është e përkryer", tha Ukëhaxhaj.

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj tha se brezat e ardhshëm do të rriten duke pas idol njerëzit që kanë bërë diçka për vendin, siç është edhe autori në fjalë.

"Brezi im dhe sigurisht edhe brezat para meje dhe pas meje do të vazhdojnë të rritën e të edukohen duke pas idol gjithë gjeneratat që kanë bërë diçka për vendin e sidomos për brezin e artë të vitit '81 që i kanë dhënë dimension çështjes kombëtare”, tha Ramosaj.

Në promovimin e këtij libri, një fjalë rasti pati edhe Gjenerali i Divizionit të Kukësit, Kudusi Lame, kontributi dhe veprimtaria e të cilit u vlerësua nga vetë autori dhe familja Ukëhaxhaj.

Hasan Ukëhaxhaj, po ashtu në studimin e tij monografik sjell biografi të çmuara të emrave me kontribute të njohura dhe të vlerësuara si personalitete të fushave të ndryshme, veprimtarë të shquar të lëvizjes së fshehtë çlirimtare, ose luftëtarë të zot, të ranë në fushëbeteja për liri, për çlirimin e Kosovës dhe si qëllim të fundit bashkimin e kombit shqiptar.

Promovimi i librit “Komiteti i Deçanit” i veprimtarit të çështjes kombëtare, njërit prej themeluesve të Komitetit të Deçanit – LNÇKVShJ, Hasan Ukëhaxhaj, ka qenë i paraparë që të mbahet me 16 Janar, por është shtyrë për sot, pasi siç u tha në promovim është shtyrë për shkak të ndarjes nga jeta e veprimtarit të çështjes kombëtare dhe njëherit njërit nga luftëtarët e shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Cenë Aliçkaj./E. Krasniqi

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024