Seanca gjyqësore ndaj Salih Mustafës në Hagë po vazhdon me paraqitjen e deklaratës përmbyllëse nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Prokurorja Silvia D’Ascoli ka thënë se provat që janë paraqitur në këtë proces vërtetojnë se Salih Mustafa është përgjegjës përtej dyshimit të arsyeshëm për të gjitha krimet për të cilat akuzohet në katër pikat e aktakuzës.
Para trupit gjykues, ajo ka thënë se në këtë proces janë paraqitur viktima dhe dëshmitarë të cilët sipas saj në mënyrë bindëse kanë treguar se nga 1 prilli deri më 19 prill 1999 janë dërguar në Zllash dhe janë mbajtur në një kompleks ndalimi.
Sipas prokurores, historitë e dëshmitarëve vërtetonin njëra tjetrën.
Gjatë paraqitjes së deklaratës përmbyllëse, prokurorja ka paraqitur disa fotografi të shtëpive në Zllash të cilat ishin të hapura edhe për publikun.
Ndërsa në këtë proces gjyqësor, i cili është drejt fundit, janë dëgjuar 13 dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, shumë prej të cilëve të mbrojtur dhe në seanca të mbyllura apo të redaktuara.
Ndërsa mbrojtja e Salih Mustafës ka paraqitur 15 dëshmitarë.
Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se “në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.
Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë prej 24 shtatorit të vitit 2020 kur është arrestuar./G.Kadrija