Prokuroria Speciale bën mbledhjen e provave për masakrën në Mejë
Lexohet për: 3 min.
LP4B1227- 2
2 vite më parë
Linku u kopjua

Prokurorja e Shtetit në Prokurorinë Speciale të Kosovës, Drita Hajdari, njëherësh udhëheqëse e Departamentit të Krimeve të Luftës, së bashku me njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, kanë bërë shikimin e vendit të ngjarjes në lidhje me masakrën në Mejë të komunës së Gjakovës.

Gjatë ditës, ekipi i udhëhequr nga Prokuroria Speciale, kanë shikuar dhe lokalizuar vendet ku janë kryer krimet, si dhe kanë siguruar provat e nevojshme lidhur me këtë krim.

Prokurorja Hajdari gjatë vizitës në Mejë, ka saktësuar se sipas informatave aktuale, në këtë masakër janë vrarë 376 persona, ku shumica e mbetjeve mortore janë gjetur, ndërsa disa persona janë ende të zhdukur.

Ajo ka potencuar faktin se “gjatë operacioneve ushtarake dhe policore të ushtrisë jugosllave, përveç vrasjeve të shumta janë shkaktuar edhe dëme të mëdha materiale, si djegia e shtëpive dhe plaçkitja e popullsisë civile si dhe dëme tjera materiale”.

Prokurorja speciale edhe kësaj radhe ka sqaruar se misioni evropian EULEX ishte përgjegjës për procedimin e krimeve të luftës.

“EULEX ka filluar hetime për këto krime dhe në një moment janë pezulluar ato. Edhe pse rastet e krimeve të luftës ishin në kompetencë të PSRK-së, një kohë të gjatë ligji nuk lejonte të rihapeshin hetimet. Mirëpo, me ndryshimin e fundit të Ligjit për gjykim në mungesë, na është mundësuar rihapja e hetimeve dhe tani jemi këtu në vendin e krimit, me policinë dhe forenzikën, për të lokalizuar vendet ku janë kryer krimet dhe për t’i siguruar provat e nevojshme”, ka thënë ajo.

Hajdari ka bërë të ditur se deri më tani janë dëgjuar 126 dëshmitarë, ndërsa pritet të dëgjohet edhe një numër i madh dëshmitarësh të tjerë. 

Ndryshe, Prokuroria Speciale deri më tani ka identifikuar një numër të madh të kryerësve të këtij krimi si dhe të atyre që dhanë urdhrin dhe organizuan këtë krim.

Masakra në Mejë është një prej masakrave më të rënda gjatë luftës në Kosovë, dhe si e tillë paraqet një rast shumë kompleks, i cili kërkon shumë punë dhe përkushtim për të dokumentuar krimin dhe për t’i sjellë kryesit para drejtësisë, thuhet në komunikatë.?

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024