Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje lidhur me vrasjen e sotme në Prishtinë, ku një 70 vjeçar ka vrarë gruan e tij. Prokuroria ka bërë të ditur se është ndaluar burri 70 vjeçari.
Sipas Prokurorisë, I.G. (1952) ka vrarë gruan e tij me mjet të mprehtë (sëpatë), në shtëpinë e tyre në Prishtinë.Prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, bashkë me njësitë relevante, siç është njoftuar, kanë dalë në vendin e ngjarjes, me ç’ rast kanë ndërmarrë veprimet hetimore, si dhe në vendin e ngjarjes është sekuestruar sëpata, me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, ndërsa me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion.
“Aktualisht, nga hetimet fillestare nuk dihet motivi i kryerjes së këtij akti, derisa Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të ushtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, si dhe në koordinim me policinë do të vazhdojë ndërmarrja e veprimeve hetimore për t’i sqaruar në plotëni rrethanat e këtij rasti.”, është bërë e ditur tutje nga Prokuroria.