Prokuroria kërkon dënim maksimal për të akuzuarën për spiunazh, Jelena Gjukanoviq
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Prokuroria kërkon dënim maksimal për të akuzuarën për spiunazh, Jelena Gjukanoviq
gjukanoviqqqpamjeee
23/04/2026 - 18:23
Linku u kopjua

Është mbajtur sot seanca gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj të akuzuarës për spiunazh Jelena Gjukanoviq.

Gjukanoviq dyshohet të ketë bashkëpunuar me Agjencinë Serbe të Sigurisë dhe Inteligjencës (BIA), ndërsa është hetuar nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) në kuadër të luftës kundër spiunazhit.

Në fjalën përfundimtare, Prokuroria ka kërkuar dënimin maksimal, duke e cilësuar rastin si një ndër më të rëndësishmit në fushën e sigurisë kombëtare.

Prokurori theksoi se çështja nuk është vetëm individuale, por prek drejtpërdrejt sigurinë e shtetit dhe besimin e qytetarëve në institucionet e Republikës së Kosovës.

“Dënimi i drejtë dhe proporcional në këtë rast është dënimi maksimal i paraparë me nenin 124, paragrafi 3 të Kodit Penal, me qëllim që të mbrohet rendi kushtetues dhe siguria e zyrtarëve dhe qytetarëve të Republikës, si dhe për të dërguar një mesazh të qartë se veprimtari të tilla nuk do të tolerohen në shtetin tonë”, ka thënë ndër të tjera prokurori gjatë seancës.

E, sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet krim i rëndë dhe, në rast të konfirmimit të fajësisë, dënohet me minimum pesë vjet burg.

Aktgjykimi për këtë rast pritet të shpallet më 27 prill 2026, në ora 13:15.

KosovaPress së fundmi pati publikuar një komunikim mes saj dhe të dyshuarit tjetër për spiunazh, Aleksander Vllajiq.

Të dy këta, Gjukanoviq dhe Vlajiq, janë përfshirë në hetime për veprën penale të spiunazhit.

KosovaPress pati raportuar për arrestimin e Jelena Gjukanoviqit, më 28 shkurt 2025, derisa ishte e punësuar në OSBE, nën dyshimin se kishte përcjell informacione të dokumentuara që lidhen drejtpërdrejt me rendin kushtetues dhe sigurinë institucionale të Republikës së Kosovës tek Aleksandar Vllajiq, i identifikuar si agjent rezident i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA).

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026