Prokuroria e Prizrenit zbulon tri raste të grabitjes, arrestohet një person
Lexohet për: 3 min.
Foto - Prokuroria Themelore Prizren
1 vit më parë
Linku u kopjua

Prokuroria Themelore në Prizren sot ka informuar se ka zbuluar tri raste të grabitjes, derisa ka arrestuar një person.

Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj një personi, me inicialet D.G, i cili gjendet në masën e ndalimit prej 48-orëve.

D.G dyshohet se ka kryer veprat penale “Grabitja”.

“Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit D.G., i cili gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Grabitja” e ngelur në tentativë nga neni 317 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 e lidhur me nenin 28, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Sipas kërkesës së Prokurorisë, i pandehuri D.G., ​me datë 03.05.2023 rreth orës 16:04 minuta, në Prizren, në rrugën “Ahmet Prishtina”, saktësisht në objektin e njërit nga filialat mikrofinanciare, me përdorim të forcës dhe kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër, tenton ta përvetësoj pasurinë e luajtshme të personit tjetër – të dëmtuarës, me qëllim që t’i sjellë vetes dobi pasurore të kundërligjshme, në atë mënyrë që i njëjti i maskuar dhe nën kërcënimin e armës tenton të kryej grabitjen mirëpo pengohet nga zyrtari për sigurimin e objektit – i dëmtuari S.Th., me të cilin konfrontohet fizikisht dhe i shkakton lëndime trupore, i penguar nga zyrtari i sigurimit, i pandehuri largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur dhe gjatë ikjes të njëjtit në vendin e ngjarjes i bien çelësat që kishte me vete, në mesin e të cilëve edhe çelësi i veturës. Me këto veprime kishte për të kryer veprën penale “Grabitja” e ngelur në tentativë sipas KPRK-së.”, ka bërë të ditur Prokuroria.

Sipas Prokurorisë, D.G posedon edhe armë në kundërshtim me Ligjin për armët.

 “Po ashtu, i pandehuri D.G.,posedon armë në kundërshtim me Ligjin për Armët, në atë mënyrë që pas sulmit nën kërcënimin e armës që e bën në drejtim të të dëmtuarit, i pandehuri bëhet i paarritshëm për organet e ndjekjes deri më datë 05.05.2023 i cili arrestohet dhe konstatohet se i njëjti ka mbajtur në posedim armën e zjarrit – pistoletë të tipit “BLOW C75”, Cal. 9 mm P.A.K., dhe një sharzher, për të cilën armë nuk posedonte leje valide nga organi kompetent. Me këto veprime kishte për të kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së.”, është bërë e ditur në komunikatë.

Prokuroria ka informuar se ka arrritur të zbulojë edhe dy raste tjera të grabitjes, njëri i ndodhur më datë 27.01.2023 në qytetin e Prizrenit, ku nën kërcënimin e armës së zjarrit janë grabitur 11.700 euro dhe tjetri i ndodhur më datë 04.05.2023 në Prishtinë, ku gjithashtu nën kërcënimin e armës janë grabitur nga i njëjti kryerës 2280 euro.

​ 

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024