Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit vepron ndaj tre raportimeve nga Policia Financiare dhe Ministria e Punëve të Brendshme në lidhje me krimet e mundshme në Lotarinë Shtetërore, megjithatë, deri më tani ende nuk ka përfunduar procedura e sigurimit të provave. Prokuroria ka formuar disa lëndë për punën e Lotarisë Shtetërore dhe ndaj tyre veprojnë disa prokurorë, të cilët janë në koordinim me organet e policisë, brifuan nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Lotaria Shtetërore është llogaritur nga përfaqësuesit e partive qeveritare si një nga institucionet e dyshuara për keqpërdorime të shumta financiare, gjatë kohës derisa me të ka udhëhequr Përparim Bajrami, apo njeriu i afërt i ish zëvendëskryeministrit Artan Grubi, i cili së fundmi u fut në Listën e Zezë të SHBA-së për marrje të ryshfetit me qëllim që ta shpëtojë ish Shefin e Policisë Sekrete Sasho Mijallkov nga lëndët gjyqësore.
Megjithatë, Qeveria në shtator e prishi marrëveshjen, pasi siç tha edhe vetë kryeministri Hristijan Mickoski, Lotaria Shtetërore i paguante kompanisë qira që ishte trefish më e lartë nga ajo që e përcakton tregu. Ai theksoi se kontrata e prishur është bazë për përgjegjësi penale dhe se ekzistojnë dyshime serioze për kriminalitet nga pushteti i kaluar.
Pasi Kuvendi dha interpretim autentik të nenit 7 të Ligjit për Lojërat e Fatit, më 27 shtator Qeveria i mbylli katër platformat e kazinove për shkak të parregullsive në punë, lëshime dhe dyshime të bazuara për punë të paligjshme. Në to kanë qenë të regjistruar rreth 80.000 qytetarë të vendit, ndërkaq shumica prej tyre në platformën 2win.mk.
Momentalisht, platforma e vetme për lojërat e fatit që funksionon online është Megawin, e cila është 100 për qind në pronësi të Lotarisë Shtetërore. Megjithatë, kumari online vazhdon, duke e pasur parasysh se qytetarët kanë qasje në rreth 2.000 platforma të shteteve të huaja. /Alsat.mk