Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj dhe kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Republikës së Shqipërisë (SPAK), Altin Dumani, kanë nënshkruar sot marrëveshje me të cilën kanë formuar njësinë e përbashkët hetimore, të përbërë nga prokurorë të të dyja prokurorive përkatëse.
Sipas Prokurorisë, qëllimi i nënshkrimit të kësaj marrëveshje në mes të dy krerëve të institucioneve të ndjekjes parashikon bashkëpunim të ngushtë dhe koordinim të veprimeve të dyja prokurorive në fusha të rëndësishme të luftës kundër krimit.
“Nënshkruesit e marrëveshjes, u zotuan për bashkëpunim të ngushtë në luftimin e të gjitha formave të krimit që prekin interesat ekonomike, financiare dhe shoqërore të të dyjave vendeve”, thuhet në njoftim.