Komisioni për Shëndetësi nuk ka hedhur në votim Projektligjin për çmimin e produkteve medicinale, për shkak të mospajtimeve të thella mes deputetëve, përfshirë edhe atyre të mazhorancës. Deputetët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, por nga radhët e Listës Guxo, kërkuan plotësim-ndryshimin e këtij projektligji, pasi sipas tyre, nuk po përkrahën prodhuesit vendor farmaceutik, gjë të cilën e përkrahën edhe anëtarët e komisionit nga opozita. Mirëpo të kundërtën e thanë deputetët e LVV-së, që potencuan se përmes këtij projektligji do të ketë unifikim të çmimeve të barnave.
Kryetarja e komisionit për shëndetësi, Fatmire Kollçaku, tha se qytetarët do të përfitojnë më së shumti nga ky projektligj.Kritik u shpreh edhe deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili tha se përmes projektligjit për produktet medicinale, krijohet një hapësirë e madhe e manipulimit për çmimet e barnave, derisa shtoi se i njëjti është harmonizuar më shumë me kompanitë jashtë Kosovës.
Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj tha se ky projektligj duhet të ndryshohet pasi nuk përkrahen prodhuesit vendor.