Është prezantuar projekti i realizuar nga komuna e Prishtinës “Prishtina pa asbest”. Objektivi kryesor i këtij projekti është planifikimi dhe menaxhimi i asbestit për të mbrojtur mjedisin dhe shëndetin e publikut nga fibrat e asbestit.
Ndërkaq, në ditët në vazhdim do të lansohet edhe platforma online “Prishtina pa asbest”, platformë kjo e cila do të mbajë informata, lokacione dhe shifra të sasisë së asbestit në kryeqytetet. Në këtë platformë do të kenë qasje të gjithë qytetarët për të adresuar edhe vet ata vendndodhjen e asbestit në objekte publike dhe private. Po ashtu, kjo platformë do të shërbejë edhe për të marrë informata për hulumtimin dhe largimin e asbestit.
Kryetari Rama, shtoi se në momentin që do të lansohet platforma online “Prishtina pa asbest”, qytetarët do të mund të paralajmërojnë vet adresën për të filluar trajtimin për asbest.
Ndërkaq, udhëheqësi i këtij projekti, profesori i kimisë, Lulzim Zeneli tha se Prishtina edhe pse ka një sasi të madhe të asbestit në kryeqytet, ka arritur të trajtojë në mënyrë të duhur dhe të shpejt.
Tutje, profesori i kimisë, Zeneli derisa ka shpjeguar platformën online “Prishtina pa asbest”, tha se në këtë platformë të gjithë qytetarët do të mund të informohen për trajtimin e Asbestit, si dhe mund të adresojnë lokacionet se në cilat zona ka asbest.
Asbesti është një mineral fijor natyral. Ekzistojnë gjashtë lloje, të cilat të gjitha përbëhen nga kristale fibroze të gjata dhe të holla, secila fibër përbëhet nga shumë "fibrile" mikroskopike që mund të lëshohen në atmosferë nga gërryerja dhe proceset e tjera. Thithja e fibrave të asbestit mund të çojë në kushte të ndryshme të rrezikshme të mushkërive, duke përfshirë mesothelioma, asbestozë dhe kancer të mushkërive, kështu që tani është i njohur si një rrezik serioz për shëndetin dhe sigurinë.