Kryeministri Albin Kurti gjatë vizitës në SHBA, ka takuar drejtoreshën menaxhuese të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, me të cilën ka diskutuar rreth programeve të Kosovës me FMN-në, investimet në infrastrukturë e energji, përmirësimin e klimës së investimeve dhe avancimin e mjedisit të të bërit biznes.
Duke folur mbi performancën ekonomike të viteve të fundit, kryeministri Kurti falënderoi Georgieva për mbështetjen e vazhdueshme të FMN-së për ngritjen e kapaciteteve të qëndrueshme institucionale dhe zbatimin e reformave të rëndësishme ekonomike.
Drejtorja menaxhuese e FMN-së ka mirëpritur rezultatet dhe suksesin në stabilitetin fiskal, zbatimin me sukses të programeve aktuale, duke thënë se rezultatet e Kosovës në menaxhimin e borxhit publik mund të shërbejnë si shembull edhe për ekonomitë tjera.
Kryeministri Kurti ndodhet për vizitë në Nju Jork, ku do të zhvillojë takime bilaterale me liderë në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.