Kryeqyteti vazhdon të ketë probleme me mbeturinat. Disa kontejnerë janë të stërmbushur derisa qese e gjera të tjera kanë dalë edhe jashtë tyre. Qytetarët po kërkojnë zgjidhje nga Komuna e Prishtinës derisa theksojnë se si pasojë e kësaj po rrezikohen edhe nga qentë endacakë.
Banorët në lagjen Mati thanë për KosovaPress, se Kompania Pastrimi nuk po i mbledh mbeturinat me rregull.
"Po, në rrugën Malush Kosova po, se e kanë çdo të hënë për t'i hequr, e vijnë çdo dy ose tre javë, bëhet shumë mbeturina, mban aroma shumë e keqe. Qentë po mblidhen shumë, është edhe rrezik prej qenve”, tha Hajdini.
Po ashtu, edhe qytetari që banon në rrugën “Muharrem Fejza”, Selim Berisha, tha se përkundër që pagesën për mbeturina e bëjnë me rregull, shërbimi sipas tij është i mangët.
E banori tjetër, Faruk Abdurrahmani, u shpreh se komuna duhet ta shqyrtojë këtë problem dhe të gjejë zgjidhje për të, ngase sipas tij në këtë mënyrë po rrezikohet shëndeti i qytetarëve./Z.Zeneli