?Marrëveshja mes Kosovës dhe Shqipërisë që heq të gjitha kufizimet për pranimin e studentëve në institucionet publike të arsimit të lartë pritet të ndikojë në rritjen e numrit të të rinjve shqiptarë andej e këtej kufirit që do të zgjedhin universitet e njëri-tjetrit. Studentët dhe njohësit e arsimit e kanë mirëpritur këtë nismë të të dy vendeve. Deri më tani numri i studentëve nga Kosova për të studiuar në universitetet publike në Shqipëri ka qenë i kufizuar, varësisht nga kuotat e secilit fakultet.
Që prej këtij viti akademik studentët do të përfitojnë mundësi dhe kushte të barabarta për të konkurruar, nëpërmjet lehtësimit dhe unifikimit të procedurave të aplikimit dhe regjistrimit në universitetet e vendeve respektive. Të rinjtë shqiptarë tashmë kanë të drejtë të aplikojnë në 19 universitete publike të të dy vendeve.“Ne vlerësojmë që këto marrëveshje janë në përfitim të drejtpërdrejt për vetë qytetarët e Kosovës, përfshirë këto nga nxënësit në shkollimin fillor që përfitojnë drejtpërdrejt nga abetarja e përbashkët deri të shkëmbimet dhe njohja reciproke e diplomave për studentët atje, përfitimi është i drejtpërdrejt, nuk mund të kontestojë askush, mirëpo shpresojmë që këto marrëveshje të jenë shumë konkrete, të kthehen dhe të zbatohen operacionalisht në të kundërtën ato përfundojnë në draft dokumente që nuk shkojnë tutje të përfituesit”, theksojë Qehaja.
Qehaja shtoi se pret që pas heqjes se kufizimeve për regjistrimin e studentëve në universitetet publike mund të ketë numër të shtuar të të rinjve që duan të regjistrohen në fakultetet e të dy vendeve.
Këshilli i Studentëve e ka mirëpritur marrëveshjen mes të dy vendeve. Diellza Berisha nga kjo organizatë e vlerëson si të duhur aktin.
Megjithatë, ajo thotë se interesim më të shtuar për Shqipëri mund të ketë për programet e doktoratës.
Deri më tani, pranimi i studentëve kosovarë në universitetet publike në Shqipëri ka qenë në bazë të kuotave të përcaktuara nga vet fakultetet, njëjtë siç ka qenë edhe në disa fakultete në Kosovë.
Mirëpo, ministrja e Arsimit e Kosovës, Arbërie Nagavci, deklaroi se kuotat e deritashme nuk do të hiqen, por që me këtë marrëveshje shkohet përtej tyre.
Ajo vet tha se pret interesim të shtuar të studentëve për regjistrim në fakultetet e njëri-tjetrit.
“Se a do të këtë interesim kjo mbetet të shihet, po unë besoj që do të këtë interesim sepse me aq sa kemi parë në të kaluarën ka pasur shumë shpesh sidomos në fakultetet e caktuara më shumë të interesuar se sa janë paraparë me kuota, pres që kjo të jetë edhe një hap përpara në bashkëpunimin dhe në mundësinë që ju ofrojmë të gjithë të rinjve tanë në gjitha institucionet e arsimit të lartë në Kosovës dhe Shqipëri”, deklaroi Nagavci.
Ndërsa në Shqipëri, tashmë edhe Universiteti i Tiranës, si më i preferuari nga studentët kosovarë, ka publikuar kriteret për pranimin e studentëve për vitin akademik 2022/23. /L.Kerolli/