Përkundër se tashmë është hedhur shorti sa i përket rundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës dhe Prishtina nuk ishte pjesë e tij për shkak se nuk është licencuar për garat evropiane dhe vendin e tyre e ka zënë Dukagjini, drejtuesit e skuadrës bardh e kaltër janë ende optimistë se do të luajnë në këtë kompeticion.
Prishtina nuk ka marr licencën për shkak të problemeve financiare dhe borxheve që ka ndaj disa lojtarëve dhe situata e tyre po shqyrtohet nga Komisioni i Arbitrazhit Sportiv (KAS), nga i cili end nuk është marr ndonjë vendim.
Osmani më tutje ka bërë të ditur për KosovaPress se kanë kontaktuar me UEFA-në dhe nga ana e tyre iu është konfirmuar se nëse licencohen, do të marrin vendin e Dukagjinit për të luajtur në Ligën e Konferencës.
Nga burime brenda Federatës së futbollit të Kosovës, KosovaPress mëson se vendimi që do të merret nga Komisioni i Arbitrazhit Sportiv, çoftë ai edhe për në favor të Prishtinës, nuk nënkupton që direkt rikthimin e Prishtinës në garat evropiane të sezonit të ardhshëm. Sipas këtyre burimeve, kjo pastaj do t’i takojë UEFA-s që të vendosë nëse klubi bardh e kaltër do ta zë vendin e Dukagjinit automatikisht.
Në shortin e tërhequr të martën, është mësuar se Dukagjini do të ballafaqohet me skuadrën Europa nga Gjibraltari në rundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës dhe nëse Prishtina licencohet, atëherë mund zë vendin e skuadrës nga Klina në këtë kompeticion dhe të luaj pikërisht ndaj këtij kundërshtari.
Ndryshe, në edicionin 2022/23 të Superligës së Kosovës, Prishtina përfundoi në vendin e pestë, kurse Dukagjini në të katërtin, por meqenëse skuadra nga kryeqyteti e fitoi Kupën e Kosovës, atëherë siguron pjesëmarrjen në garat evropiane duke lënë jashtë skuadrën e vendit të katërt. /A. Bytyçi