Qendra më e madhe tregtare “Prishtina Mall” pritet të hapet më 9 mars 2023. Ky është investimi më i madh që është bërë në këtë fushë ndonjëherë në Kosovë.
Qendra më e re tregtare me sipërfaqe 250 mijë metra katrorë do të ketë mbi 200 brende prestigjoze ndërkombëtare, si dhe do të hap mbi 2500 vende të punës.Kryetari i bordit të aksionarëve në “Prishtina Mall”, Fatmir Zymberi njëherësh pronar i “Jysk” dhe “KFC” për Kosovë, ka thënë për KosovaPress, se punimet për ndërtimin e “Prishtina Mall”, janë në fazën përfundimtare, i cili pret që në pranverën e ardhshme të jetë e gatshme për blerjet e preferuara dhe argëtim.
Biznesmeni Zymberi pret po ashtu të ketë një fluks të madh të vizitorëve deri në 15 milionë brenda vitit.
Këngëtari që drejton bizneset më të njohura në Kosovë, Zymberi thotë se “Prishtina Mall”, do t’i mbajë qytetarët e Kosovës brenda vendit për t’i kryer blerjet e preferuara, gjithashtu do të sjellë edhe dhjetëra mijëra turistë nga vendet e rajonit për ta parë modelin më të ri të qendrave tregtare në rajon.
Afaristi shprehet se “Prishtina Mall”, do ta ketë liderin e operatorëve të kinemave në Evropë me teknologjinë më të re.
“Ashtu qysh kemi shkuar ne vendet tjera, kjo qendër do të na i sjell njerëz nga jashtë këtu. Sidomos nga Shqipëria, Maqedonia, dhe më gjerë. Me një fjalë çdo njeri që vjen në Kosovë, do të vjen këtu në “Prishtina Mall”, sepse është një objekt i veçantë, është një formë e re e të bërit shoping. Nëse flasim për sipërfaqe, bruto janë 240 mijë metra katror, parking me sipërfaqe jashtë dhe brenda për 5 mijë vetura pa pagesë, plus nga kjo sipërfaqe vetëm 116 mijë metra katror janë të lëshuara me qira, pjesa tjetër janë shëtitore dhe parqe. Nga 116 mijë metra katrore, 30 për qind janë për argëtim”, thotë ai.
Zymberi ka thënë se investimet deri tash kanë arrit 200 milionë euro pa i përfshirë investimet e brendeve.
Zymberi thotë po ashtu se shumë kompani vendore dhe buxheti i shtetit përfituan nga ky projekt, dhe siç u shpreh ai, do të ketë ndikime pozitive edhe në rritjen e GDP-së.
Biznesmeni Zymberi pret që brenda një viti numri i vizitorëve të jetë së paku 15 milionë.
Kryetari bordit të aksionarëve thotë se me këtë qendër tregtare, Kosova futet në hartë botërore.
“Të gjitha bizneset qe janë aksionarë në këtë kompani janë nga Kosova, janë biznese të mirënjohura të Kosovës… Ky investim na bën neve më të fortë dhe e bën Kosovën më të fortë. Kosova futet në hartë botërore që nga të 100 qendrave në Botë, një prej tyre është në Republikën e Kosovës, dhe në një formë të gjithë fitojmë me këtë qendër”, u shpreh ai.