Nesër dhe pasnesër në Prishtinë do të mbahet konferenca më e madhe që është organizuar ndonjëherë për drejtësinë tranzicionale dhe gjykatat ndërkombëtare për luftën e Kosovës, me theks te Gjykata Speciale.
Në prag të ditës së çlirimit, më 10 dhe 11 qershor, kjo do të jetë një nga ngjarjet kryesore dedikuar Gjykatës Speciale dhe instrumenteve të drejtësisë tranzicionale. Në mes dhjetëra emrave eminentë, pjesëmarrës janë edhe emra ndërkombëtarë që kanë shfaqur kritika të ashpra ndaj procesit në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku tash e rreth 6 vjet po vazhdon procesi ndaj ish-themeluesve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimit, etj, transmeton KosovaPress.
Në konferencë për aspekte të ndryshme të rolit të mediave në çeshtjet e drejtësisë tranzicionale do të flasin edhe gazetarët e famshëm Tim Judah, korrespodenti i revistës “The Economist”, autorja Ana Di Lellio, Dan Perry, ish drejtor i agjencionit “Associated Press per Europe”, etj.
Panelistë do të jenë edhe ish-ministrat e jashtëm të Shqipërisë, Maqedonisë Veriore dhe Kosovës, përkatësisht Gent Cakaj, Bujar Osmani dhe Petrit Selimi, pastaj ish ministri britanez Denis MacShane dhe ish ministri i Kanadës Ross Reid, i cili njëkohësisht ishte edhe drejtor i zyrës së NDI në Kosovë.
Organizatorë të kësaj konference, e cila është më e madhja që është mbajtur ndonjëherë për gjykatat ndërkombëtare që e kanë gjykuar luftën e Kosovës, janë organizatat e shoqërisë civile “Liria ka emër” dhe KIPRED.