Prishtina, arenë e spektaklit të basketbollit 3x3
Lexohet për: 2 min.
DD
1 vit më parë
Linku u kopjua

Sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë do të jetë vendtakimi i adhuruesve të basketbollit 3x3 për tri ditë me radhë.

Për herë të parë në Kosovë do të organizohet FIBA 3x3 U23 Nations League nga 10 deri 12 korrik. Në këtë ngjarje do të marrin pjesë gjashtë shtete te meshkujt dhe gjashtë te femrat, ku priten sfida interesante.

Sekretarja e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Elvira Dushku thotë për KosovaPress se janë bërë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e kësaj ngjarjeje edhe pse pranon se kjo ishte mjaft sfiduese.

Shtete si Gjermania, Holanda e Turqia do të jenë pjesë e këtij kampionati duke bërë që konkurrenca të jetë e fortë, por Dushku është optimiste që Kosova do të ketë rezultate pozitive.

Menaxherja e eventeve në FBK, Artina Hasani ka ftuar të gjithë adhuruesit e basketbollit që të jenë në sheshin “Zahir Pajaziti” gjatë këtyre tri ditëve, derisa zbulon se do të ketë edhe muzikë e lojëra shpërblyese për të gjithë të pranishmit.

Nga FBK gjithashtu kanë bërë të ditur se në rast të kushteve të papërshtatshme klimatike, atëherë ky event do të bartet në njërën nga palestrat sportive në kryeqytet.

Për Kosovën te meshkujt do të luajnë: Mirlind Zekaj, Donat Rexhepi, Drilon Shala dhe Fatlind Shoshaj, ndërkohë te femrat për Kosovën do të paraqiten: Agnesa Rrahmani, Enisa Kamerolli, Sara Vraniqi dhe Anilë Selmani./A.Bytyçi

https://kosovapress.com/admin/fiba-3x3-ne-prishtine-zbarkojne-shtete-te-medha-evropiane/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024