Organizimi i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, mbetet një prej projekteve më të mëdha sportive dhe shtetërore që ka marrë ndonjëherë Kosova. Megjithatë, vonesat në realizimin e infrastrukturës sportive dhe shqetësimet për dinamikën e punimeve kanë ngritur alarmin te drejtuesit e sportit.
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, përdori një krahasim të fortë për të përshkruar pasojat që do të sillte një dështim në organizimin e Lojërave Mesdhetare, duke e cilësuar atë si një goditje të rëndë për shtetin dhe sportin e Kosovës.
Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, tha se shqetësimi për ecurinë e përgatitjeve është i përbashkët për të gjithë komunitetin sportiv, por shprehu optimizëm se me angazhim institucional projekti mund të realizohet me sukses.
Ndërkaq, kryetari i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Edi Kolgeci, vlerësoi se koha për të vepruar po mbaron, duke kërkuar mobilizim të menjëhershëm për të dëshmuar se Kosova është e gatshme ta organizojë këtë ngjarje madhore.Në muajt dhe vitet në vazhdim, bashkëpunimi mes të gjitha palëve shihet si vendimtar, pasi realizimi me sukses i këtij projekti do të përcaktojë jo vetëm mënyrën se si Kosova do të prezantohet para komunitetit sportiv ndërkombëtar, por edhe besimin që do të ketë bota sportive për t’i dhënë vendit organizime të tjera të mëdha.