Princ Harry ka marrë masa ligjore, të cilat do t'i siguronin mbrojtje policore gjatë vizitës në Britaninë e Madhe me familjen e tij dhe të gjitha shpenzimet do t'i paguante personalisht, tha përfaqësuesi i tij ligjor.
Harry, Duka i Sussex dhe gruaja e tij Megan humbën mbrojtjen e policisë në Britaninë e Madhe pasi vendosën të largoheshin nga familja mbretërore në vitin 2020. Çifti tani jeton në Kaliforni me fëmijët e tyre Archie dhe Lilibet.
Në verën e vitit 2021, "siguria e tij u rrezikua nga mungesa e mbrojtjes së policisë pasi u largua nga një ngjarje bamirësie," tha avokati, duke shtuar se më 30 qershor, pas takimit me fëmijë me aftësi të kufizuara, paparacët vrapuan pas makinës në të cilën ai ndodhej.
Princi pretendon se anëtarët e sigurimit të tij në Shtetet e Bashkuara nuk kanë qasje në informacione për sigurinë në Britaninë e Madhe, gjë që është e nevojshme që ai dhe familja e tij të qëndrojnë të sigurt.
Për të mbrojtur monarkinë, Mbretëresha Elizabeth II i hoqi Andrew të gjithë titujt zyrtarë dhe ushtarakë këtë javë dhe po qarkullojnë zëra se princi tani po paguan vetë sigurinë.
Një zëdhënës i Princit Harry tha për agjencinë e lajmeve PA se "Britania e Madhe do të jetë gjithmonë shtëpia e Princit Harry, si dhe vendi ku ai, gruaja dhe fëmijët e tij duan të ndihen të sigurt".
Princi Harry vizitoi për herë të fundit Britaninë e Madhe verën e kaluar kur, së bashku me vëllain e tij William, ai zbuloi një statujë të nënës së tyre Diana më 1 korrik, e cila vdiq në një aksident automobilistik në Paris në 1997, pasi u ndoq nga paparacët.
"Princi Harry ka lindur me një rrezik sigurie gjatë gjithë jetës. Ai është i gjashti në radhën e fronit, ai shërbeu në dy misione luftarake në Afganistan dhe në vitet e fundit familja e tij është ekspozuar ndaj kërcënimeve ekstremiste dhe neo-naziste," tha përfaqësuesi i tij ligjor.