Prezantohet raporti “Gjendja e të drejtave të njeriut në veri të Kosovës”, kërkohet më shumë bashkëpunim
Lexohet për: 2 min.
Veriu i Mitrovices (6)
5 muaj më parë
Linku u kopjua

Organizata Joqeveritare Aktiv ka prezantuar të enjten raportin “Gjendja e të drejtave të njeriut në veri të Kosovës”.

Ky raport, dokumenton shkeljet e mundshme të të drejtave të komuniteteve lokale në katër komunat veriore të Kosovës: Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku, në periudhën nga tetori 2023 deri në maj 2024.

Përmes, një komunikate për media është bërë e ditur se raporti po ashtu tregon për nivelin e kërcënimeve ndaj të drejtave pronësore, lirinë e fesë e çështje të tjera.

“Raporti dokumenton nivelin e kërcënimeve ndaj të drejtave pronësore, lirinë e fesë, sigurinë, si dhe ndikimin e retorikës nxitëse, heqjen e dinarëve dhe shpronësimin e tokës, në komunitet. Të gjeturat tregojnë se këto probleme të serbëve në veri të Kosovës kanë sjellë pasiguri të theksuar te popullata vendase”, bëhet e ditur në komunikatë.

Panelistët u fokusuan në mënyrat për të përmirësuar bashkëpunimin ndërmjet gazetarëve që raportojnë në gjuhën shqipe dhe serbe.

Po ashtu, gjatë diskutimit, panelistët ranë dakord se retorika nxitëse, që shpesh vjen nga liderët politikë, është një nxitje e drejtpërdrejtë për përhapjen e gjuhës së urrejtjes.

Gjithashtu, paneli prezantoi një retrospektivë të ngjarjeve të përshkruara në raport, e cila tregonte qartë lidhjen midis retorikës nxitëse, gjuhës së urrejtjes dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Gjatë diskutimit u theksua nevoja për një diskurs publik më të përgjegjshëm dhe bashkëpunim mes gazetarëve për uljen e tensioneve dhe nxitjen e bashkëjetesës paqësore.

Në panel, u theksua nevoja për një bashkëpunim më të fortë ndërmjet aktorëve të ndryshëm në shoqëri për të arritur zgjidhje të qëndrueshme për problemet aktuale.

Raporti “Gjendja e të drejtave të njeriut në veri të Kosovës” paraqet një hap të rëndësishëm drejt të kuptuarit të gjendjes aktuale dhe nevojave të komuniteteve lokale dhe është bazë për iniciativat dhe ndërhyrjet e ardhshme që synojnë përmirësimin e të drejtave të njeriut./KosovaPress

Raport i plotë: https://ngoaktiv.org/ëp-content/uploads/2024/06/Situata-e-te-drejtave-te-njeriut-ne[1]Kosoven-veriore-1.pd

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024