Presidenti i klubit të futbollit “Ballkani”, Arsim Kabashi, ka premtuar se do të punojë fuqishëm që kjo skuadër të vazhdojë në rrugën e sukseseve si në futbollin vendor ashtu edhe në atë evropiane.
Përmes një shkrimi në Facebook, Kabashi ka thënë se sezoni i kaluar nuk ishte aspak i lehtë, por mbështetja e madhe nga të gjithë bëri që të arrihet objektivi për ta mbrojtur titullin e kampionit të Kosovës, raporton KosovaPress.
Ja postimi i plotë i Arsim Kabashit në “Facebook”:
Të dashur qytetarë të Suharekës, tifozë të zjarrtë Xhebraila dhe gjithë ju mbështetës të FC Ballkanit nga mbarë vendi.
Titulli i dytë radhazi, padyshim që ktë gjithëve na ka dhënë ndjenjë gëzimi, por assesi nuk na ka dhënë ndjenjën e vetë-mjaftueshmërisë. Përkundrazi e ka rritur etjen për suksese të tjera, të cilat do të nisim t’i ndjekim menjëherë, që nga kampanja e Evropës, Superkupa e Republikës dhe kompeticionet tjera që nisin në edicionin e ardhshëm.
Jam i nderuar të jem njëri prej akterëve të përfshirë në sukseset historike të klubit tonë të zemrës, në të cilat secili nga ju e ka vendin e vetë, pasi pa përkrahjen dhe mbështetjen gjithëpërfshirëse, s’do të ishim ku jemi sot.
Nesër po e fillojmë rrugën e Evropës, të motivuar e me moral të lartë.
Faleminderit të gjithëve, nga mbështetësit në tribuna, futbollistëve, stafit teknik, bashkëpunëtorëve dhe gjithë shqiptarëve kudo ndodhen. Na priftë e mbara