Pozitë dhe opozitë janë pajtuar për nevojën për reformë në sistemin e drejtësisë.
Në tryezën e KDI-së për reformën në drejtësi të mërkurën, partitë parlamentare thanë se është i nevojshëm konsensusi për këtë çështje, megjithatë nga opozita u kritikua Qeveria e Kosovës dhe mazhoranca për qasjen e tyre për realizimin e kësaj reforme.
“(Kemi) konsensus për të ecur përpara për reformat në drejtësi dhe këtë e ka dëshmuar edhe konsensusi që është arritur në procesin e vettingut. Deri tani kemi formimin e grupit ad-hoc që do të merret me hartimin e legjislacionit që ka të bëjë me procesin e vettingut”, tha ai.
Të gatshëm për konstruktivitet për reformën më drejtësi u shpreh edhe PDK-ja përmes deputetes Blerta Deliu. Mirëpo ajo kërkoi që ekzekutivi të ketë konsensus edhe me institucionet e drejtësisë.
Ndërkaq, deputetja e LDK-së, Doarsa Kica, tha se reformat në drejtësi janë të vonshme.
“Tash është e pranuar në mënyrë kolektive që reformat në drejtësi janë të vonshme tani më. Rezultatet e një mangësie të skajshme të sistemit të drejtësisë po e shohim çdo ditë me parashkrimet e lëndëve, aktgjykimet që po merren dhe faktin se sot e kësaj dite ka shumë raste që hidhen poshtë për mënyrën si janë draftuar aktakuzat”, deklaroi ajo.
“Reformimin në sektorin e drejtësisë nga kjo qeveri nuk e shoh si reformim, por si deformim të reformës. Pra, është një deformim total i sistemit të drejtësisë”, theksoi Tahiri.
Ndërkaq, hulumtuesja në KDI, Violeta Haxholli, tha se është evidente që sistemi i drejtësisë ka ende mangësi.
Dje në Kuvendin e Kosovës është konstituuar komisioni ad-hoc për hartimin e legjislacionit për vettingun në Kosovë.