Në Portugali numri i vjedhjeve në dyqane mund të rritet me 40 për qind krahasuar me vitin e kaluar pasi banorët vjedhin peshk të konservuar, vaj, bukë, kafe dhe ushqime të tjera bazë për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve, raportoi e përjavshmja portugeze Expresso, duke cituar të dhëna zyrtare.
"Ky fenomen është veçanërisht i theksuar në qytetet e mëdha si Lisbona dhe Porto," tha Goncalo Lobo Xavier, president i Shoqatës Portugeze të Kompanive të Shpërndarjes (APED). "Nuk ka dyshim se njerëzit i vjedhin këto gjëra për të ngrënë. Kjo është shenja e parë e një krize të rëndë sociale," shtoi ai.
Nëse ky trend vazhdon, do të jetë një rritje prej 40 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Njerëzit e prekur nga rritja e çmimeve po vjedhin edhe peshkun e ngrirë, veçanërisht merlucin, i cili hahet tradicionalisht në Portugali, një vend me 10.3 milionë banorë në brigjet e Atlantikut.
Policia thotë se shumë dyqane nuk raportojnë as vjedhje të artikujve ushqimorë si patate, por gjithnjë e më shumë dyqane kanë sistem alarmi të integruar.
"Njerëzit janë të dëshpëruar. Ata fshehin kuti me qumësht dhe peshk të konservuar në çantat ose në xhaketat e tyre për të ngrënë ose për t'ua dhënë këtë ushqim fëmijëve të tyre," shton ai.
Çmimi i një shporte mesatare ushqimore, e cila përbëhet nga 63 produkte bazë, ka arritur çmimin më të lartë këtë vit javën e kaluar. Tani kushton 214 euro, që është 30.67 euro më shumë se në shkurt para luftës në Ukrainë, raportoi shoqata për mbrojtjen e konsumatorëve Deco Proteste.