Porti i ri i Durrësit, Berisha: Rama po ndërton Dubain e familjes së tij
Lexohet për: 3 min.
berisha
2 vite më parë
Linku u kopjua

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, sërish ka hedhur akuza rreth projektit të portit të Durrësit duke thënë se i njëjtë është afera korruptive më e madhe në Evropë. Përmes një deklarate nga selia e Partisë Demokratike, ai tha se njeriu që ka marrë përsipër këtë investim, parashikonte një investim prej 4 miliardë eurosh në Serbi ka përfunduar me një investim prej 20 milionë eurosh ndërsa prapa tij, sipas Berishës, qëndron Aleksandër Vuçiq.

Berisha u shpreh se Rama po e shndërron portin e Durrësit në Dubain e familjes së tij.

“Edi Rama, pa asnjë konsultë paraprake, me qytetarët e Durrësit, me grupe interesi dhe asnjeri tjetër përveç xhepit dhe llogarive të tij. Defakto po e shndërron portin e Durrësit në Dubain e familjes së tij. Afera e Portit të Durrësit gjer sot është afera korruptive më gjigante në Evropë”, deklaroi Berisha.

Berisha duke e quajtur vendimin për projektin e Burrësit si korruptiv e antiligjor, shtoi se Rama dhe kompania e tij përvetësojnë mbi 1 milion metër katror truall për ndërtime, baras kjo, sipas Berishës, me rreth 3 miliardë euro.

Ai u shpreh se i njëjti investues pati parashikuar një investim 4 miliardë euro në Serbi por ka përfudnuar me vetëm 20 milionë euro investim, ndërsa tha se prapa tij, atje ka qenë Aleksandër Vuçiq.

“Në këtë aferë, me pasoja të rënda strategjike për vendin, me pasoja të rënda që synojnë defaktorozimin e Shqipërisë dhe rolit të saj strategjik në transportin e BE dhe NATO, Edi Rama parashikon me makinerinë e mashtrimit të tij, investime prej 2 miliardë eurosh në marinën turistike. Njeriu që ka marrë përsipër këtë investim, parashikonte një investim prej 4 miliardë eurosh në Serbi, dhe përfundoi me një investim prej 20 milionë eurosh. Atje prapa tij qëndron Aleksandër Vuçiq, këtu qëndron Edi Rama”, vijoi Berisha.

Berisha u shpreh se dëmi nga ky projekt i Durrësit është i pallogaritshëm sepse me këtë lëvizje, taksapaguesit shqiptarë gjobiten me së paku 1 miliard euro që do të përdoren për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano.

Ai ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të hetojë këtë projekt ndërsa Edi Ramës që të heqë dorë nga i njëjti.

“I kërkoj Edi Ramës që të heqë dorë nga përpjekjet për ndërtimin e Dubait të familjes së tij në Durrës. E garantoj që ajo nuk do mund të ndodhë dhe i kërkoj Al Alabarit të heqë dorë dhe të mos përdoret nga kryeministri më i korruptuar në të gjithë kohërat në Shqipëri. I bëj thirrje BE-së për të ndaluar këtë aferë korruptive dhe të nisë një hetim rreth aferës korruptive të portit të Durrësit dhe të bëjë gjithçka që ky port të mbetet, port strategjik kryesor i Shqipërisë, i rajonit dhe BE-së në rajon”, përfundoi Berisha.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025