Kosova dhe Serbia nuk arritën kompromis në takimin e së enjtes në Bruksel, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për çka politologu bullgar Anton Panchev thotë se do të ketë sërish tensione në veri të vendit.Sipas tij, Serbia rrezikon integritetin territorial të shteteve fqinje, ku nuk përjashton as mundësinë për një luftë të re në të ardhmen në Ballkan.
Panchev në një intervistë për KosovaPress thotë se Serbia çdo vit investon miliona euro për të kthyer Kosovën prapa, në kohën para pavarësisë. Kritika adreson për Brukselin, duke thënë se Bashkimi Evropian duhet të ndryshojë qasjen karshi shtetit serb.
“Për fat të keq shpesh do të ketë tensionime të tilla sepse edhe qeveria serbe, presidenti i Serbisë, i mbajnë si pengje serbët e veriut të Kosovës... Tensione do te ketë, thjesht institucionet e Kosovës duhet të përmbahen sepse edhe faktori ndërkombëtar është i vetëdijshëm dhe nuk mund të lejojë që Serbia të përdorë këto trazira për ndërhyrje ushtarake në Kosovë. Dhe mendoj se vetëm me një politikë të urtë, pa rënë pre në provokimet e Serbisë por edhe në një qasje pro aktive në arenën ndërkombëtare, Kosova do të përballet me këto rreziqe”, thekson ai.
Duke e quajtur shtetin serb të pa reformuar ai thotë se qëllimi kryesor i Beogradit është ndarja e Kosovës përmes Asociacionit të Komunave Serbe.
Sipas tij, Serbia ka shumë sukses në propagandë për çka thekson se faktori politik i Kosovës duhet të jetë i unifikuar kundrejt rreziqeve të jashtme.
“Serbia ka shumë sukses në propagandë, ndajnë dhjetëra, miliona euro çdo vit për propagandë, bëjnë filma, i përkthejnë në anglisht, në gjuhë të tjera, kanë një propagandë të suksesshme. Për Kosovën së pari, si për çdo shtet tjetër, faktori politik duhet të jetë i unifikuar kundrejt rreziqeve të jashtme, pastaj duhet të ketë një konsensus të gjerë për këto rreziqe dhe për strategjinë që duhet të ndjekë Kosova për tu përballur me sfidat, me krizën sepse ne i dimë qëllimet e Serbisë. Beogradi dëshiron që Kosova të kthehet prapa në rrugën e pavarësisë, të mos jetë një shtet funksional, që shteti të ndahet përmes Asociacionit të Komunave Serbe”, shprehet ai.
Ai flet edhe për tendencën e Serbisë për t’u ulur në dy karrige, pas invazionit ushtarak rus në Ukrainë.
“Serbia për fat të keq ka një politikë të suksesshme, balancon midis Perëndimit, Rusisë dhe faktikisht nuk balancon sepse në temat e rëndësishme mban anën e Rusisë por në të njëjtin moment merr edhe mjaft fonde nga BE-ja. Këtu duhet të kritikojmë edhe Brukselin zyrtar ku përfaqësuesit, zyrtarët atje nuk e kuptojnë esencën në politikën serbe. Ata mendojnë se... mund ta tërheqin Serbinë në anën e tyre që nuk është kështu, sepse Serbia gjithmonë në historinë e re në shekullin e XX, gjithmonë ka luajtur një rol të dyfishtë. I ka tradhtuar shpesh partnerët tjerë të interesave të saj. Edhe në Bruksel duhet të kuptojnë se nuk mund të veprojnë në një mënyrë të tillë me Serbinë sepse do të pësojnë keq në fund. Në Beograd nuk mendojnë të lidhin fatin e Serbisë me BE-në sepse atje i refuzojnë vlerat kryesore të Bashkimit Evropian, pra stabilitetin, paqen. Ka shumë punë për tu bërë që Serbia të reformohet”, vijon Panchev.
Pas takimeve, Borrell tha se palët nuk kanë arritur të dakordohen porse siç tha ai ende ka kohë për të arritur një kompromis para 1 shtatorit, kur edhe pritet të implementohet vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat dhe letërnjoftimet./E.Krasniqi/