Policia tregon se në emër të saj po qarkullojnë dokumente false, bën thirrje për kujdes
Lexohet për: 2 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar publikun se po qarkullojnë disa emaile kinse i përkasin Policisë, me dokumente dhe informacione të falsifikuara e që po lëshohen nga zyrtarë të lartë brenda Policisë së Kosovës.

Policia ka bërë të ditur se këto informacione po qarkullojnë të emërtuara si “Kujdes urdhëri zyrtar gjykatare”.

“Këto informacione të dërguara nga kinse zyrtarë të lartë të PK-së, të emërtuar si “KUJDES: URDHËRI ZYRTARE GJYKATARE”, kinse të lëshuara nga “Byroja Qendrore e Hetimit, Qendra Kompjuterike e Krimit Kibernetik, Departamenti i Kërkimit dhe Analizës dhe Drejtoria e Policisë, Republika e Kosovës”, e që kinse janë lëshuar me qëllim të njoftimit të palës së caktuar për urdhër gjykate, nuk janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës, e aq më pak të lëshuara nga zyrtarë të lartë brenda PK-së, por janë e-mail-e/dokumente të falsifikuara për përdorim me qëllime të caktuara”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Ndërsa, kanë njoftuar se për këtë kanë filluar hetimet.

“Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, pas sigurimit të informacioneve rreth qarkullimit të e-mail-eve/dokumenteve të tilla, ka filluar hetimet intensive, duke angazhuar njësitet kompetente policore, me qëllim të hetimit, verifikimit dhe zbulimit të kryerësve të kësaj vepre penale”, thuhet më tutje në komunikatë.

Policia e Kosovës njofton dhe njëherit fton qytetarët që të mos bien pre e dezinformacioneve/mashtrimeve të tilla dhe kushdo që mund të pranojë ndonjë e-mail/dokument të tillë, ta adresojë në adresën zyrtare të PK-së [email protected] për trajtim dhe kompetencë të mëtejme.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024