Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, tha se një natë më parë në fshatin Hotkovo, afër Novi Pazarit, Sedan Ramoviq-Becan është “likuiduar”. Sipas njoftimit, ai i kishte rezistuar arrestimit.
“Ramoviq refuzoi të dorëzohej dhe qëlloi dy-tre plumba drejt policisë gjatë operacionit të arrestimit”, tha Daçiq, sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme të Serbisë.
Ai shtoi se Ramoviq po ashtu i kishte rezistuar policisë gjatë kontrolleve të kryera më herët.
Ministria e Brendshme serbe tha se Ramoviq ishte në arrati pas sulmit, që Serbia e cilëson terrorist, pranë Ambasadës izraelite në Beograd në qershor dhe madje në një kohë, ai ishte fshehur edhe në Kosovë.
Ai shtoi se aksioni për arrestimin e Ramoviqit, që rezultoi me vrasjen e tij, u krye në koordinim me Agjencinë për Siguri dhe Informacion (BIA), me MPB-në serbe dhe me Zyrën e Prokurorit të Lartë në Novi Pazar, shkruan REL.
Më herët, autoritetet serbe thanë se Ramoviq ishte qiradhënësi i Millosh Zhujoviq, i cili më 29 qershor plagosi me shigjetë një polic që po ruante ndërtesën e Ambasadës izraelite. Roja ishte kundërpërgjigjur duke e vrarë sulmuesin.