Policia e Kosovës njofton se pesë protestues janë arrestuar të hënën në veri, nën dyshimin se kanë lënduar disa zyrtarë të KFOR-it.
Në njoftimin e policisë, thuhet se protestat kanë qenë më të dhunshme në komunën e Zveçanit, ku protestuesit nuk kanë zbatuar urdhrat zyrtarë për largim dhe kanë rezistuar duke përdorur shok bomba, e armë zjarri.
Po ashtu bëhet e ditur se një veturë e policisë është djegur dhe janë dëmtuar edhe disa vetura të tjera.
Policia e Kosovës njofton se po vazhdon angazhimet e saja në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e protestave, të cilat po vazhdojnë pranë tri komunave në veri të vendit Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveqan.
Po ashtu një veture zyrtare të PK-së i është vënë zjarri si dhe janë dëmtuar edhe vetura tjera
Sipas policisë, në Zveqan protestuesit kanë vazhduar të jenë jo paqësor dhe në vazhdimësi kanë provokuar situatën, kanë shfaqur dhunë, kanë gjuajtur gjësende të ndryshme në drejtim të zyrtarëve policorë, kanë vendosur e shkruar mbishkrime provokuese me simbole serbe e ruse në automjetet policore e të KFOR-it, si dhe kanë dëmtuar gomat dhe pjesë të tjera të automjeteve.
“Nga protestues të maskuar, janë penguar dhe rrezikuar edhe gazetarë të mediave të ndryshme të cilëve iu janë dëmtuar automjetet e tyre, prej tyre një veturë e kanë djegur, e po ashtu iu janë shkruar mbishkrime nacionaliste serbe. PK-ja sipas mundësive iu ka ofruar siguri mediave/gazetarëve duke i zhvendosur në perimetër të sigurisë”, thuhet në njoftim.
Në komunikatën e policisë thuhet se sirenat dhe alarmet janë lëshuar në vazhdimësi në komunat veriore me qëllim të ri-mobilizimit të tyre, deri më tani edhe në Leposaviq protestuesit kanë gjuajtur gjësende të ndryshme dhe fishekzjarre/mjete piroteknike ndaj zyrtarëve dhe mjeteve policore.
Bëhet e ditur po ashtu nga policia, se në vazhdimësi kanë qenë të koordinuar me KFOR-in për të menaxhuar situatën.
Policia e Kosovës vazhdon në menaxhimin e situatës në koordinim me KFOR-in dhe ka filluar hetimet intensive, lidhur me dhunën dhe sulmet e shkaktuara ndaj mediave, pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë.
Duke parë rrethanat dhe situatën e tensionuar të krijuar nga grupet kriminale në veri të vendit, Policia e Kosovës fton qytetarët për qetësi dhe të mos bien pre e provokimeve të çfarëdo natyre qofshin ato.