Policia e Kosovës njofton se zyrtarët policorë në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin forcën proporcionale, duke arritur të neutralizojnë një të dyshuar për grabitje në një argjendari në Suharekë, përderisa katër të dyshuar të tjerë janë arrestuar.
“Deri më tani numri i të arrestuarve ka shkuar në shtatë persona, një i neutralizuar dhe një tjetër ende gjendet në kërkim policor”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në njoftim thuhet se pas hetimeve intensive dhe mbledhjes së dëshmive, sot në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Carralevë është realizuar operacioni policor i cili ka përfshirë kontrollin në shtatë lokacione të ndryshme, me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të personave të dyshuar.
Policia njofton për rrjedhën e rastit të grabitjes së armatosur të ndodhur me datën 22.11.2023 në Suharekë, ku të dyshuarit gjatë grabitjes kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë, Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren, ka vazhduar hetimet intensive, me qëllim të zbardhjes së rastit dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar.
Gjatë zhvillimit të operacionit policor, një i dyshuar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë duke ua rrezikuar drejtpërdrejt jetën e tyre, me ç’rast është plagosur një zyrtar policor.