Policia gjermane sekuestroi dy miliardë euro në bitcoin nga ish-piratët
Lexohet për: 2 min.
9 muaj më parë
Linku u kopjua

Sekuestrimi më i madh i kriptomonedhave i regjistruar ndonjëherë në Gjermani është rezultat i një hetimi afatgjatë ndaj drejtuesve të një faqeje piratësh prej kohësh të zhdukur, përmes të cilit ata kishin bërë një pasuri të vogël.

Policia në provincën gjermane Saksonia, prokuroria federale dhe hetuesit tatimorë njoftuan se në mesin e janarit të këtij viti, ata morën një sasi të konsiderueshme kriptomonedhash - deri në 50 mijë bitcoin. Ajo pasuri u konfiskua nga ish-udhëheqësit e ueb sajtit dikur shumë aktiv pirat movie2k.to.

Faqja ishte aktive nga viti 2008 deri në vitin 2013 dhe funksiononte në "zonën gri" kur bëhet fjalë për legjislacionin gjerman. Ofroi lidhje për të transmetuar dhe shkarkuar kopje pirate të serive televizive dhe filmave, kryesisht nga vendet gjermane dhe anglisht-folëse, por nuk ofronte shërbime pritjeje për materiale të tilla.

Një numër padish u ngritën kundër shërbimit pirat, dhe ai u bllokua nga ISP-të dhe pronarët ndryshuan URL-në e shërbimit disa herë për ta shmangur atë. Në fund të fundit, autoritetet mbyllën faqen në maj 2013, pas një padie nga Shoqata Amerikane e Filmave (MPAA).

Megjithatë, edhe pas mbylljes, FBI-ja dhe hetuesit gjermanë vazhduan të hetonin çështjen, gjë që i çoi te dy drejtuesit e platformës origjinale. Ata ishin sot një gjerman 40-vjeçar dhe një polak 37-vjeçar, të cilët tashmë janë nën akuzën e shfrytëzimit të paautorizuar të veprave të mbrojtura nga e drejta e autorit dhe pastrim parash.

Përballë kësaj, muajin e kaluar ata ia dorëzuan vullnetarisht policisë në Dresden 50 mijë bitcoin, të fituara përmes abonimeve dhe reklamave në shërbimin e tyre pirate që prej kohësh nuk funksiononte.

Ajo që ata kishin fituar atëherë si një pasuri e vogël dhe e kthyer në bitcoin, sot është rritur në 2 miliardë euro të pabesueshme. E gjithë kjo është tashmë në portofolin zyrtar digjital të Policisë Federale Kriminale Gjermane dhe ende nuk është vendosur se çfarë do të bëhet me këtë kripto-aset. Është konfirmuar vetëm se ky është sekuestrimi më i madh i kriptomonedhave në Gjermani dhe se informacione shtesë do të publikohen pasi të përfundojë hetimi.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024