824 djem dhe vajza iu nënshtruan testimit këtë të mërkurë për t’u pranuar në Policinë e Shtetit, ku prej tyre vetëm 400 do të përzgjidhen.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ndoqën nga afër testin e përgjithshëm me shkrim, të aplikantëve të rinj për t’u pranuar në kursin “Patrullë e Përgjithshme”.
“Monitorohen të gjithë konkurrentët dhe verifikohen paraprakisht që të mos kenë pajisje elektronikë, celular, në sallën e testimit”, tha Rrumbullaku.
Ky testim me shkrim zgjat rreth dy orë dhe pyetjet janë përgatitur nga Ministria e Arsimit. Korrigjimi i testit për secilin nga kandidatët, do të bëhet elektronikisht, duke shmangur çdo mundësi ndikimi apo deformimi të rezultateve.
Fituesit e këtij testimi të parë, do të afishohen në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit, vetëm me kodet përkatëse të kandidatëve dhe jo me emra. Procesi i pranimit do të zgjasë rreth dy muaj dhe në shkurt 2024, kandidatët e sotëm fitues, do të mund të fillojnë studimet për kursin “Patrullë e Përgjithshme”. /tch