Policia e Shqipërisë sekuestroi 41.7 kg heroinë, 39 000 euro dhe armë
Policia e Shqipërisë këtë fundjavë ka organizuar grupe kontrolli në të gjithë territorin, për të parandaluar dhe goditur paligjshmëritë.
Sipas Policisë, pesë operacione dhe megaoperacione të finalizuara, me fokus goditjen e shitjes së narkotikëve, armëmbajtjen pa leje dhe kapjen e shtetasve në kërkim.
“Të sekuestruara: 41.7 kg heroinë, 2 armë zjarri, 2 radio si të Policisë, 39 000 euro me burime kriminale dhe një armë e ftohtë. Megaoperacioni “Fusha e Kuqe” në Tiranë, vuri në pranga një 31-vjeçar që transportonte me automjet, 62 pako me heroinë. Operacioni “Servisi”, në Shkodër, arrestoi në flagrancë një 52-vjeçar që qarkullonte me radio si të Policisë, për të monitoruar lëvizjet e efektivëve, si dhe kishte në servisin e tij, armë zjarri, pajisje të tjera si të Policisë dhe armë të ftohtë. Si rezultat i kontrolleve të befasishme në Vlorë, në ambientet e shtetasve me rekorde kriminale, u sekuestruan mijëra euro me burim krimin si dhe një pistoletë. Pronari i banesës ku u gjetën paratë dhe arma, u shpall në kërkim. Operacionet “Qerreti”, “Udine” dhe “Storm 2”, përkatësisht në Tiranë, Kurbin dhe Vlorë, vunë në pranga 3 shtetas të shpallur në kërkim, pasi ishin të dënuar apo të akuzuar, për vjedhje, narkotikë, armëmbajtje pa leje dhe kanosje. 2 shtetas u arrestuan në Vlorë, 2 shtetas në Korçë dhe 1 tjetër në Fier, për vepra të ndryshme penale”, thuhet në njoftim, ku theksohet se operacionet policore vijojnë në çdo qark të vendit.