Policia e Kosovës sekuestron kokainë dhe heroinë, vlera e tyre mbi 153 mijë euro
Lexohet për: 3 min.
heroine dhe kokaine
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Policia e Kosovës ka arrestuar të mërkurën në raste të ndara dy persona të dyshuar dhe ka sekuestruar substanca narkotike të llojit heroinë dhe kokainë.

Rasti i parë ka ndodhur në Prishtinë ku Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prishtinë, në bashkëpunim me institucione vendore të sigurisë, pas një pune intensive-hetimore në terren, ka ndërmarrë hapa operativë, me ç’rast ka identifikuar një person shtetas të Maqedonisë Veriore, i cili dyshohej se kishte në posedim të gatshëm për shitje një sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit heroinë.

“Të dyshuarit të lartcekur me veturë substancën e dyshuar narkotike ia kanë sjellë dy persona tjerë, të cilët janë larguar me veturë nga vendi i ngjarjes. Pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës tek personi i dyshuar janë gjetur 6 (gjashtë) paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë me peshë të përgjithshme prej 6.137.6 gramë (6 kilogramë e 137 gramë), ku vlera e substancës së dyshuar narkotike e cila është konfiskuar vlerësohet të jetë rreth 150.000 euro (njëqind e pesëdhjetë mijë euro)”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndërsa, lidhur me rastin në cilësi të provave materiale janë sekuestruar edhe dëshmi tjera materiale: 2 telefon celularë, një veturë, 4305 denarë të Maqedonisë Veriore.

“Të gjitha veprimet e ndërmarra dhe dëshmitë e gjetura të sekuestruara janë kryer me autorizimin e prokurorit kujdestar. Personi i dyshuar është shoqëruar për intervistim në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit të shtetit i dyshuari ndalohet për 48 orë, kurse dy personat e tjerë janë në kërkim policor”, thuhet në njoftim.

Kurse rasti i dytë ka ndodhur në Ferizaj, ku Policia e Kosovës ka ndaluar për kontroll veturën me targa të huaja, ku gjatë kontrollit të veturës është gjetur një pako e cigareve, në brendi të së cilës ka qenë një qese najloni me substancë të dyshuar si e llojit kokainë. Nën dyshimet se mund të gjendet edhe ndonjë sasi tjetër e narkotikëve është kontrolluar një shtëpi banimi në Ferizaj, ku jeton i dyshuari, mirëpo nuk është gjetur asgjë e dyshuar.

“Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: një qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë të përgjithshme 38.62 gramë, vlera e substancës së dyshuar narkotike vlerësohet të jetë rreth 3500 euro para në monedhë letre 50 euro dhe 1500 kruna suedeze”, thuhet më tutje në njoftim.

Lidhur me rastin, për të gjitha veprimet është njoftuar prokurori kompetent, me urdhër të të cilit i dyshuari pas intervistimit ndalohet për 48 orë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024