Plani për Ruandën ka vdekur, Starmer anulon vendimin për emigrantët
Lexohet për: 2 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i ri britanik Keir Starmer ka deklaruar se masa e diskutueshme për deportimin e emigrantëve dhe punëkërkuesve, e prezantuar nga ish-qeveria  konservatore është "e vdekur dhe e varrosur".

Konservatorët e ish-kryeministrit Rishi Sunak kanë njoftuar një plan prej disa milionë funtesh për të dërguar emigrantë dhe azilkërkues në Ruandë.

Sunak dhe ministrat e tij njoftuan se dëbimet e para në vendin afrikan do të fillojnë në korrik.

Kryeministri i ri laburist tha se ai "nuk ishte i përgatitur për të vazhduar këto hile" dhe konfirmoi se masa po hiqet. Edhe para zgjedhjeve, laburistët premtuan të braktisin planin "në ditën e parë" pas marrjes së pushtetit.

Në konferencën e parë për shtyp që nga hyrja në Downing Street, Starmer tha se "plani për Ruandën ka vdekur dhe është varrosur përpara se të fillonte".

“Shikoni shifrat e atyre që kanë ardhur në gjashtë muajt e parë të këtij viti, janë rekord, është një problem që e kemi trashëguar”, tha ai duke shtuar se masa me Ruandën nuk mund të jetë zgjidhje për këtë çështje.

Starmer ka njoftuar se do të zvogëlojë numrin e të ardhurve në Britani të Madhe duke punësuar hetues specialë dhe kapacitete kundër terrorizmit për të ndaluar bandat kriminale që qëndrojnë pas fluksit të emigrantëve në ishull.

Saktësisht se si do të funksionojë kjo dhe sa do të kushtojë braktisja e planit me Ruandën, mbetet për t'u parë.

Presidenti i shtetit afrikan, Paul Kagame, la të kuptohet në fillim të këtij viti se taksapaguesit britanikë do të duhet të paguajnë për rënien e marrëveshjes.

Yolande Makolo, një zëdhënëse e qeverisë së tij, më vonë tha se Ruanda nuk kishte "asnjë detyrim" për të kthyer fondet, por nëse Londra do të kërkonte një gjë të tillë, ajo do ta konsideronte atë, por vetëm rreth një pjesë të totalit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024