Plani i Rritjes, BE: Kosova e Serbia rrezikojnë fondet shkaku i dialogut
Lexohet për: 3 min.
BE
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në normalizimin e marrëdhënieve për të fituar të drejtën e financimit nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian i cili u miratua së fundmi, pretendon Komisioni Evropian. “Normalizimi i marrëdhënieve është kusht thelbësor në rrugën evropiane për të dyja palët. Si Serbia ashtu edhe Kosova rrezikojnë të humbasin një mundësi të rëndësishme në mungesë të përparimit”, njoftoi shërbimi për shtyp i Komisionit Evropian në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë. KE thekson se pavarësisht kritereve bazë që duhet të plotësojë secili vend nëse do të ketë të drejtë të marrë fondet e ndihmës evropiane, Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në normalizimin e marrëdhënieve të tyre.

Kjo nënkupton, shtojnë ata, zbatimin e plotë të të gjitha detyrimeve që dalin nga marrëveshja për rrugën e normalizimit dhe aneksi i zbatimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme për dialogun, si dhe përfshirjen në negociatat për Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse për Normalizimin e Marrëdhënieve. Plani i Rritjes prej gjashtë miliardë eurosh për gjashtë partnerët nga Ballkani Perëndimor përfaqëson një ofertë gjithëpërfshirëse të BE-së për të përmirësuar situatën socio-ekonomike. Prej tyre dy miliardë do të ndahen në formë granti dhe katër miliardë të tjera në formë kredie me normë interesi shumë të favorshme. Sipas Komisionit Evropian, për të përfituar nga ky instrument, çdo vend përfitues duhet të përgatisë një agjendë reformash, e cila do të konsultohet, vlerësohet dhe miratohet nga KE dhe nëse është e nevojshme, nga vendet anëtare të BE-së.

“Ajo përfshin një qasje progresive ndaj tregut të përbashkët të BE-së, të kushtëzuar me përparimin në tregun e përbashkët rajonal të Ballkanit Perëndimor, dhe mekanizma për të inkurajuar reformat. Plani i rritjes nuk është një alternativë ndaj zgjerimit të BE-së. Është një ofertë që do të plotësojë dhe të përshpejtojë procesin e anëtarësimit”, tha një nga zëdhënësit e Komisionit Evropian. Pagesat sipas planit janë subjekt i kushteve strikte. Në kuadër të këtij fondi, kjo do të vlejë edhe për reformat socio-ekonomike.

Kryeministri Albin Kurti tha se si kërkesë nga Procesi i Berlinit, Lista Prioritare e Projekteve Infrastrukturore në Kosovë, e hartuar fillimisht në vitin 2015, është përditësuar në vitin 2017 për sektorin e mjedisit, transportit, energjisë dhe sektorit social. Ai theksoi se Kosova nga Plani i Rritjes së BE-së pritet të përfitojë rreth një miliard euro, ku gjysma e kësaj shume do të ofrohet për investime infrastrukturore në sektorët e transportit, energjisë, sektorit digjital dhe kapitalit njerëzor. “Projektet e kapitalit njerëzor do të jenë pjesë e listës prioritare të sektorit social. Sektori i mjedisit do të vazhdojë të jetë nga WBIF, por grantet e ofruara për mjedisin nuk burojnë nga pakoja financiare e Planit të Rritjes, por nga fondet IPA rajonale përmes WBIF dhe kriteret e aplikimit pritet të jenë të njëjta”, tha Kurti.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024