Mëngjesin e sotëm ka ndodhur një rrahje mes disa personave në lagjen Veternik të Prishtinës, që më pas ka eskaluar në gjuajtje me armë. Policia e Kosovës njofton se si pasojë e këtij incidenti tre persona janë plagosur. Kështu konfirmon zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Rreth orës 06:30, është raportuar për një rrahje mes disa personash që ka eskaluar në gjuajtje me armë zjarri, të ndodhur në lagjen Veterniku në Prishtinë. Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se për pasojë tre persona kanë marrë plagë nga arma e zjarrit”, thuhet në një përgjigje për KosovaPress.
“Ndërkohë që të plagosurit janë dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor, policia po vijon punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore me qëllim identifikimin e të dyshuarve të implikuar në rast, si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thekson ajo.