“Në garë me botën gri”, titullohet ekspozita shumëngjyrëshe e ish-luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në kthimin e tyre nga Haga në Kosovë, përveç dhimbjes, tash e dy vjet familjarët kanë marrë me vete edhe veprat artistike të Rexhep Selimit. Janë mbi 110 piktura që janë ekspozuar për publikun në prag të përvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Në hapjen e kësaj ekspozite kanë marrë pjesë qytetarë të ndryshëm, deputetë, politikanë të subjekteve politike në Kosovë.
“Ai i ka dërguar prej Hagës, atje ku po gjykohet por ku ende nuk ka filluar gjykimi, ku po akuzohet pa aktakuzë së bashku me bashkëveprimtarë të tij të tjerë me ish-kryetarin e Kuvendit Krasniqi, me ish-kryetarin e Kuvendit Veseli, me ish-presidentin Thaçi dhe me bashkëluftëtarë të tjerë të cilët padrejtësisht po akuzohen atje në Hagë. Ne e dimë dhe jemi të vetëdijshëm si popull për drejtësinë dhe pastërtinë e luftës tonë çlirimtare, të cilës i kontribuoj i gjithë populli. I gjithë populli në një mënyrë ishte pjesë e luftës tonë të drejtë”, është shprehur Konjufca.
Ai ka kujtuar periudhën kur ish-deputeti Rexhep Selimi e kishte njoftuar me pikturën e tij të parë.
Konjufca tha se ishte tronditur, kur kishte kuptuar se kjo pikturë ishte punuar nga vet Rexhep Selimi.
“Fillova unë të spekuloj, unë ta shpjegoj pikturën, tha: ‘Glauk ky piktori jam unë’. Edhe unë u trondita me thënë të drejtën, sepse e kam njohur Rexhën si muzikant, si poet, kam lexuar poezitë e tij. Disa nga poezitë e tij janë bërë edhe këngë shumë të njohura popullore, të cilat i dëgjojmë edhe sot me shumë ëndje. Kjo ishte për mua një tronditje meqenëse gjithçka që dija për artin dhe që përafërsisht kam lexuar, mi sfidojë. Sepse konsiderohet që arti është jo në të gjitha dimensionet, por në një dimension të tij shumë specifik edhe shumë i afërt me shkencë”, ka thënë ai.
Bashkëshortja e Rexhepit, Shqipe Selimi ka treguar se në vizitat e saj të përmuajshme në Hagë ka bartur nga Haga në Kosovë, pikturat e tij.
"Sot nuk dua të flas më shumë, sepse këtu më së miri flasin pikturat e ekspozuara. Më vjen mirë që edhe unë kam dhënë një kontribut të vogël në bartjen e këtyre pikturave nga Haga në Kosovë, gjatë vizitave tona të përmuajshme, nga Haga këtu. Vlerën artistike të këtyre pikturave unë nuk mund ta jap, por këtë ekspozitë e bën të veçantë vendi dhe koha ku janë pikturuar këto pikturuar. Shumica e këtyre pikturave janë realizuar në përballje me padrejtësinë. Presim që Rexha dhe të akuzuarit tjerë në Hagë të triumfojnë mbi padrejtësinë dhe të kthehen sa më shpejt në mesin tonë", ka thënë ajo.