Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës ka shprehur shqetësim për çështjen e licencave pas skadimit të afatit më 23 dhjetor për pikat e karburanteve.
Në mbledhjen e kuvendit të kësaj shoqate, kryetari Fadil Berjani tha se zbatimi i ligjit të naftës, i cili është miratuar pas dhjetë vjet shtyrjeje në Kuvend, do të ishte i rëndësishëm pasi aty janë inkorporuar edhe kërkesat e naftëtarëve.
Drejtori i Departamentit të Naftës në Ministrinë e Tregtisë, Bujar Mustafa tha se procesi i pajisjes me licenca nuk dëmton bizneset.
Përfaqësuesi i njërës nga pikat e derivateve, Izet Gashi, theksoi se Kosova “po vuan shumë prej licencave të tepruara.” Ai ka pyetur nëse mund të lehtësohet marrja e licencave për hapjen e karburanteve në veri.Ndryshe, Ligji për Naftën ka kaluar pas 10 vjet shtyrjeje në Kuvend gjë e cila sipas ministres Hajdari kishte shkaktuar informalitet në treg. Sipas saj, sektori i naftës tashmë ka një ligj që përcakton standardet dhe direktivën e BE-së, por obligon Qeverinë të nxjerrë udhëzimet për cilësinë e naftës dhe rritjet e parametrave në laboratorin e doganës.