Diplomati Wolfgang Petritsch ka thënë se dialogu i brendshëm me serbët në Kosovë, është çelës për një zgjidhje të qëndrueshme me Serbinë.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Petritsch ka thënë se nuk pret rezultat substancial në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë më 2024, për shkak të zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.
Ndër tjerash, Petritsch ka thënë se incidenti i këtij viti në Banjskë duhet të shërbejë si mësim për rritje të vigjilencës në fushën e sigurisë, e cila do të ketë prioritet në vitin që vjen.
“Kjo ka qenë, padyshim, një pikë e ulët në marrëdhëniet në mes të Beogradit dhe Prishtinës. Dhe, nuk po flas vetëm për dialogun, për të cilin, fatkeqësisht, viti 2023 nuk ka qenë më i suksesshmi. Mendoj që incidenti në Banjskë do ta fokusojë vëmendjen në sigurinë dhe aspektin ushtarak në vitin e ardhshëm, kur është fjala për marrëdhëniet ndërmjet të dyja palëve”, ka thënë ai.
“Unë besoj që nëse nuk shfrytëzohet viti 2024, për ta nxitur BE-në dhe Beogradin e Prishtinën, që të mendojnë seriozisht për një qasje të re, atëherë nuk jam i sigurt nëse në vitin 2025 - pasi të kenë përfunduar zgjedhjet e vitit të ardhshëm - të ketë përparim substancial”, ka thënë Petritsch.
“Më pas, më 2025, kur të kemi Komisionin e ri në Bruksel dhe kur të kemi administratën e re në Uashington – shpresoj që do të ketë vazhdimësi të administratës [së presidentit Joe] Biden - atëherë do të jetë momenti i ri për të rinisur dialogun”, ka shtuar ai.
“Duhet të flitet me popullatën. A ka biseduar dikush me qytetarët në veri që preken drejtpërdrejt? A ka biseduar dikush se si do të përmirësohen marrëdhëniet në mes të shqiptarëve dhe pakicës që jeton atje? Popullsia atje nuk është 100 për qind me serbë, ka edhe shqiptarë atje. Atëherë si do të funksionojë marrëdhënia mes tyre? Duhet të flitet me njerëzit. Kjo është përgjegjësi, sidomos e udhëheqjes në Prishtinë, për të kuptuar më shumë për nevojat e tyre. Çfarë idesh kanë, të analizohen ato me seriozitet. Atëherë mendoj që mund të kemi zgjidhje, sepse një dialog i brendshëm në Kosovë mund të prodhojë rezultate më realiste”, u shpreh ai.
Sipas tij, Kosova duhet t’i bëjë propozimet e veta bazuar në draft-statutin e propozuar nga BE-ja duke thënë se “normalizimi i brendshëm është bazë për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet të dyja shteteve”.
Ai ndërkaq është shprehur pro heqjes së masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës së tyre, por “Prishtina duhet të japë sinjale që po bën diçka që do ta përmirësonte situatën në dialog, dhe që të ofrojë disa propozime”.
“Tensionet janë të larta dhe nëse palët nuk flasin me njëra-tjetrën, tensionet do të vazhdojnë të jenë të larta dhe do të thellohen edhe te popullata, edhe në politikë. Pra, duhet ecur në këtë drejtim, të dërgohen sinjale të vullnetit të mirë. Besoj që kjo do të interpretohet si diçka pozitive në Bruksel dhe në këmbim, BE-ja do t’i heqë masat”, ka thënë Petritsch.