Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka deklaruar se janë duke u angazhuar intensivisht për verifikimin e nënshkrimeve të mbledhura në peticionin e organizuar në komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok.
Ai gjatë një takimi me shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, tha se pas verifikimit, KQZ do të informojë të gjitha palët, përfshirë ministrinë, kryesuesit e kuvendeve komunale, kryetarët e komunave, grupet nismëtare, por edhe qytetarët dhe mediat.
Qytetarët në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq kanë nënshkruar në janar 2024 peticione për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të këtyre komunave të cilët u zgjodhën në këtë detyrë pas zgjedhjeve në prill 2023.
Në komunën e Mitrovicës së Veriut, peticionin është dashur ta nënshkruajnë së paku 3.640 votues me të drejtë vote, në Leposaviq 2.689 votues, në Zveçan 1.411 votues dhe në Zubin Potok 1.347 votues, shifra që përbëjnë 20 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve në këto komuna.
Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes Vjosa Osmani, e cila ka një afat ligjor prej 30-45 ditë për të shpallur zgjedhje të parakohshme.
Osmani ka thënë se zgjedhjet e reja në komunat me shumicë serbe në veri duhet të mbahen pa humbur kohë dhe në përputhje me ligjet e vendit.