Policia e Kosovës ka informuar se që nga data 29 korrik 2023 e deri sot në rajonin e Prishtinës janë sekuestruar pesë armë zjarri, të cilat dyshohet të jenë përdorur në ahengje familjare.
Sipas Policisë, pas përfundimit të procedurave dhe konsultimit me prokurorin e shtetit ndaj të dyshuarve janë inicuar raste për veprat penale “Përdorim i armës dhe mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Policia e Rajonit të Prishtinës, konform detyrimit ligjor që ka, obligohet që në rastet e tilla të filloj kërkimin për armët e përdorura në rast, të ndaloj kolonat e dasmorëve për t'i kontrolluar ato dhe personat e dyshuar dhe në situata të caktuara të ndërmarrë edhe bastisje në shtëpitë ku dyshohet për raste të tilla.”, ka bërë të ditur PK.
Policia ka apeluar të qytetarët që t’u shmangen veprimeve të tilla për arsye të sigurisë së tyre, sigurisë së të tjerëve dhe ceremonitë festive t’i kalojnë pa ndonjë incident./KosovaPress